Tensioni i lartë i gjakut tek njerëzit e moshës 40, 50, apo 60 vjeçare mund të ndikojë në aftësinë e të menduarit. Tanimë dihet se mbajtja nën kontroll e tensionit të gjakut ndihmon në mbrojtjen e organizmit nga sulmet në zemër apo edhe nga goditjet në tru. Mirëpo një studim i bërë nga Universiteti Johns Hopkins ka zbuluar një rrezik të ri, të cilin nuk duhet ta neglizhojmë.
Njerëzit të cilët vuajnë nga hipertensioni, janë më të rrezikuar nga një ngecje apo dobësim në shkathtësitë e të menduarit, sesa ata me tension normal të gjakut. Përkundër faktit që ky ndryshim ishte i vogël duke rezultuar ekuivalent me një mesatare të plakjes së trurit vetëm prej 2.7 vite, gjithsesi këto rezultate ishin të rëndësishme për tu prezantuar.
Ky studim u realizua nga vullnetarë të moshave 70, 80 dhe 90 vjeç. “Kjo vlerë e mesatarës së përkeqësimit të aftësive kognitive nuk do të mjaftojë për tu njohur nga shumica e njerëzve,” tha Rebecca Gottesman, kryesuese e këtij studimi, “mirëpo është një rrugë shumë e mirë drejt gjetjes së dëmtimeve të sistemit kognitiv, ose demencës.”
Gottesman dhe ekipi i saj zbuluan lidhjen në mes të këtyre dy çrregullimeve, duke analizuar informacionet e shëndetit në më shumë se 15,000 të rritur nga Komuniteti i Studimeve për Rrezikun e Arteriosklerozës, një studim afatgjatë i cili ka filluar gati 25 vite më parë. Studiuesit krahasuan matjet e tensionit që i realizuan tek vullnetarët të cilët i takonin moshave 48 deri 67 vjeç, me rezultatet e tri testeve të aftësive të të shprehurit tek po këta vullnetarë, transmeton Express.
Rezultatet treguan që hipertensioni më së shumti ngadalësonte:
·Shpejtësinë e proceve mentale– (zgjidhjen e një problemi të matematikës, apo edhe të kuptuarit e instruksioneve të komplikuara.)
·Funksionet ekzekutive– (planifikimin e gjërave, organizimin, memorizimin e detajeve apo edhe menaxhimin e kohës.)
Në përgjithësi tensioni i lartë i gjakut lidhet me ngecje të disa funksioneve të trurit. Gati çdo vullnetar mbi 25 vjeç, shfaqi shenja të të menduarit të mjegulltë dhe humbje të kujtesës. Sidomos njerëzit në moshë të shtyer të cilët kishin hipertension, patën një rritje prej 6.5% në ngecje kur arritën moshën 70,80 apo 90 vjeçare.
“Shtypja e lartë e gjakut shkakton ndryshime në tru të cilat janë të ngjashme me goditjet në tru,,” tha Gottesman. Këto ndryshime ndonjëherë quhen si ‘goditje të heshtura të trurit’ sepse jo gjithmonë shfaqin simptoma.