Në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Prishtinë në repartin e Pediatrisë, të shtunën u dhurua një ultrazë i ri i cili u mundësua nga ‘Rotary Club Prishtina’.
Aparati Logiq V2 mundëson detektimin e deformiteteve të kërdhokullave tek foshnjat e porsalindura.
Mjeket Hamide Latifaj dhe Sevim Gjingji gjatë ditës së sotme kanë kontrolluar më shumë se 37 pacientë, shkruan Gazeta Shneta.
Latifaj thotë se ultrazëri i ri ka lehtësuar shumë punën e tyre, pasi pajisja ka rezolucion të lartë.
“Para dy viteve kemi pas një donacion tjetër, mirëpo ka qenë ultrazë i vjetër dhe rezolucioni ka qenë i dobët. Tash me ultrazërin e ri është shumë më lehtë të shihen deformimet dhe puna po shkon shumë më mirë”, ka treguar Dr. Latifaj.
“Tash jemi avancuar dhe u kënaqëm duke punu”, shprehet ajo.
Latifaj thekson rëndësinë e këtij donacioni për pacientët, ndërsa shton se kanë nevojë ta pasurojnë këtë aparaturë edhe me sonda të tjera për ekzaminimin e abdomenit. /Gazeta Shneta/