Kjo mund të jetë një ironi e llojit të vet. Qendra Mjekësore e Urgjencës në Prishtinës, ka intervenuar në një rast brenda një klinike të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës
Urgjenca përballet me raste të ndryshme të thirrjeve, por këtij institucioni i ka ndodhur që të ndërhyjë edhe në një rast në QKUK, shkruan Gazeta Shneta.
Kur një person kishte rënë në gropën e ashensorit në Klinikën e Pulmologjisë, është thirrur Urgjenca e Prishtinës, pavarësisht se në ambientet e Qendrës Klinike Universitare ka qindra mjekë.
Drejtori i QMU-së, Bujar Gashi deklaron se me QKUK-në nuk ka edhe aq raporte të mira, pasi zyrtarë të saj ankohen për pacientet që Urgjenca i rekomandon atje.
“Me QKUK-në, s’mundem me thanë që kemi raporte të mira, por as të këqija. Ne jemi kolegë, por shpesh hasim në probleme të caktuara sidomos me Emergjencën. Të gjithë ata pacientë që janë të aksidentuar dhe që ankohen që nuk janë mirë dhe që kanë probleme, për me u diagnostifiku si duhet, detyrohemi t’i dërgojmë në Emergjencën e QKUK-së, sepse ne nuk kemi radiologji dhe mjete ekzaminuese për me vërtetu a kemi të bëjmë me fraktura apo lëndime të tjera. Ata ngarkohen me këtë punë dhe këtu e hasim një ngatërresë kur na thonë pse secilin rast po na e sillni. Por ne s’kemi adresë tjetër”, deklaron Gashi.
Ndërsa rasti i fundit kur Urgjenca ka shpëtuar jetë, është rasti i një të riu i cili kishte pësuar arrest kardiak gjatë kohës kur po luante futboll.
“Ekipi ka qenë në lëvizje dhe është thirr të intervenojë në një stadium futbolli. Ata kanë mbërritur për 3 minuta dhe ka qenë një djalë i ri i cili ka pas arrest kardiak në fushë futbolli dhe intervenimi ka bërë që pacienti të rikthehet në parametrat vital”, ka treguar Gashi. /Gazeta Shneta/