Doktori në Klinikën e Urologjisë, Liridon Selmani, ka reaguar në rrjetin social facebook, pasi që ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, të enjten e vizitoi këtë Klinikë.
Qëllimi i këtij reagimi në facebook-un personal, ishte njoftimi për vizitën dhe promovimin që ministria e Shëndetësisë (MSh), e kishte bërë për fillimin e shërbimeve laparoskopike në Klinikën e Urologjisë, përcjell Gazeta Shneta.
Sipas Selmanit MSH-ja po promovon projekte për të cilat nuk ka dhënë asnjë kontribut:
“Jam i lumtur që sot po shënohet fillimi i procedurave laparoskopike në Klinikën e Urologjisë plotësisht nga stafi vendor. Para 6 muajsh ideja për fillimin e laparoskopise në Klinikën e Urologjisë dukej iluzore dhe nuk gjente përkrahjen e menaxhmentit e as të ministrit të atëhershëm të Shëndetësisë”, ka thënë Dr. Selmani.
Mes tjerash, ai ka theksuar se për kryerjen e këtij shërbimi, bashkë me kolegun e tij Artan Elshani, kanë ndjekur një trajnim në Turqi dhe se atë e kanë vetëfinancuar.
“Duke dashtë që pacientëve kosovarë t’u ofrojmë shërbime moderne, në mënyrë që të njëjtit të mos kërkojnë zgjidhje jashtë vendit si dhe duke pas për qëllim që të fuqizojmë besimin në institucionet publike shëndetësore së bashku me kolegun dhe mikun tim Dr. Artan Elshanin morëm pjesë në trajnimin tre mujor në Firat University në Elazig të Turqisë. Gjithë qëndrimi ynë atje u mundësua nga ambicia dhe vetëfinancimi ynë, madje SHSKUK-ja me shumë vështirësi na kishte dhënë ‘pushim 3 mujor pa pagesë’ në mënyrë që të na ruhet vendi i punës kur të kthehemi”.
Selmani ka sqaruar se reagimi i tij është ndaj mosmirënjohjes që MSh-së ka treguar në këtë rast:
“Më shumë gjasë postimi i MSH kishte qëllim që të promovojë punën e mirë që po bëhet në Klinikën e Urologjisë dhe me këtë reagim nuk po tentoj që të përvetësoj meritat – ky postim paraqet vetëm një reagim ndaj mosmirënjohjes”.
Reagimi i plotë nga Dr. Liridon Selmani:
Ministria e Shëndetësisë promovon projekte për të cilat nuk ka dhënë asnjë kontribut
Jam i lumtur që sot po shënohet fillimi i procedurave laparoskopike në Klinikën e Urologjisë plotësisht nga stafi vendor. Para 6 muajsh ideja për fillimin e laparoskopise në Klinikën e Urologjisë dukej iluzore dhe nuk gjente përkrahjen e menaxhmentit e as të Ministrit të atëhershëm të Shëndetësisë.
Duke dashtë që pacientëve Kosovar t’u ofrojmë shërbime moderne, në mënyrë që të njejtët të mos kërkojnë zgjidhje jashtë vendit si dhe duke pas për qëllim që të fuqizojmë besimin në institucionet publike shëndetësore së bashku me kolegun dhe mikun tim Dr. Artan Elshanin morëm pjesë në trajnimin tre mujor në Firat University në Elazig të Turqisë. Gjithë qëndrimi ynë atje u mundësua nga ambicja dhe vetfinancimi ynë, madje ShSKUK më shumë vështirësi na kishte dhënë “pushim 3 mujor pa pagesë” në mënyrë që të na ruhet vendi i punës kur të kthehemi.
Më shumë gjasë postimi i MSH kishte qëllim që të promovojë punën e mirë që po bëhet në Klinikën e Urologjisë dhe me këtë reagim nuk po tentoj që të përvetësoj meritat – ky postim paraqet vetëm një reagim ndaj mosmirënjohjes.
Operimi i rasteve të para dhe fillimi i punës së laparoskopisë paraqet një hap të vogël drejt standarizimit të procedurave minimal invasive në klinikën tonë. Uroj që MSh të sigurojë ende aparatura për fillimin e procedurave të Nefrolitotomisë Perkutane për të cilën po ashtu posedojmë Certifikimin nga Klinika ku jemi trajnuar.
Dhe për fund Ministër quhet Laparoskopi e jo Laparaskopi.