Dëshira për të ruajtur linjat, apo në raste të caktuara edhe niveli i varfërisë renditen ndër shkaqet e shpeshta që po ndikojnë në shtimin e lindjeve të parakohshme, fëmijëve me peshë të vogël, si dhe komplikacioneve të tjera që çojnë në dështimin e fëmijës.
Pavarësisht fushatave të ndërmarra nga dikasteret shëndetësore për nxitjen e sjelljeve të shëndetshme në radhët e grave shtatzëna sa i takon ushqimit, komplikacionet e evidentuara tregojnë se në këtë drejtim, duhet bërë ende shumë punë.
Nuk janë të pakta rastet e raportuara tek nënat e reja, të cilat kufizojnë një pjesë të mirë të ushqimit nga frika e shtimit të peshës trupore, ndërkohë që harrojnë se mungesa e përbërësve të duhur në organizëm, ndikon drejtpërdrejt në shëndetin dhe formimin e bebes që do sjellin në jetë.
Gjithashtu kjo problematikë shqetësuese mban në shifra të larta edhe nivelin e vdekshmërisë foshnjore. Lidhur me problemet që shfaqen veçanërisht tek gratë shtatzëna, specialistët e Institutit të Shëndetit Publik vënë në dukje se : “Gratë shtatzëna me kequshqyerje kanë rrezikshmëri më të lartë për të dështuar, të bëjnë lindje të parakohshme, ose për lindur një foshnje me peshë të vogël lindjeje.
Ndërkohë që nga ana tjetër, ushqim i mirë midis grave, shoqëruar me përmirësimin e njohurive mbi ushqimin dhe të ushqyerit, qëndrimet dhe praktikat nga gratë, vajzat dhe anëtarët e tjerë të komunitetit lidhur me ushqimin dhe ushqyerjen e shëndetshme, ndikojnë në fuqizimin e grave dhe barazinë gjinore, zvogëlimin e vdekshmërisë foshnjore dhe sëmundshmërisë në mënyrë të konsiderueshme”.
Probleme këto që për vite me radhë kanë mbajtur në gjendje alarmi strukturat tona shëndetësore, kjo edhe pse së fundmi është vënë re një përmirësim i vogël. Më tej specialistët shtojnë se njohuritë e sotme shkencore evidentojnë lidhjen mes kequshqyerjes dhe disa patologjive si tumoret, sëmundjen ishemike të aparatit kardio-vaskular dhe cerebrovaskular, diabetit melit tip 2, artrozave, osteoporozës, kariesit dentar, gushës jodike dhe anemisë nga ulja e marrjes së hekurit.
Kequshqyerja nuk duhet kuptuar vetëm si ngrënie e paktë. Mund të ndodhë që të marrim ushqim në sasi të bollshme, por të varfër në raport me elementët që i duhen organizmit. Kjo gjendje sot është një ndër situatat më të shpeshta të raportuara, e cila në vitet e fundit ka çuar në një rritje drastike të obezitetit, përmes marrjes së një diete ushqimore gjithnjë e më shumë hiperkalorike, duke shtuar kështu edhe dozën e problemeve shëndetësore.
Problemet tek fëmijët
Kequshqyerja tek foshnjat dhe fëmijët e vegjël është një faktor kyç themelor jo vetëm për vdekshmërinë foshnjore, por ndikon edhe tek zhvillimi fizik dhe mendor në moshë shumë të re. Ushqyerja e pakët mund të çojë në ulje të imunitetit dhe rritjen e mundësisë për t’u sëmurë, zhvillim të dobët fizik dhe mendor, ulje të produktivitetit dhe përqendrimit në shkollë, prishje të dhëmbëve etj.
Duke iu referuar këtyre komplikacioneve strukturat shëndetësore u kërkojnë prindërve që të jenë më të kujdesshëm, pasi nëse nuk kontrollojnë me kujdes ushqimin që u japin fëmijëve të tyre që në moshë të vogël, problemet me të cilat do të përballen do jenë të mëdha. Konkretisht sipas të dhënave të raportuara nga Organizata Botërore e Shëndetësisë rezulton se :
“Rreth 20 për qind e vdekjeve të fëmijëve nën 5 vjeç në të gjithë botën mund të evitohet nga zbatimi korrekt në praktikë i udhëzuesve të ushqyerjes së shëndetshme. Ndërkohë referuar të dhënave në vendin tonë vihet në dukje se rreth 19 për qind e fëmijëve nën 5 vjeç paraqiten të shkurtër për moshën dhe rreth 11 për qind e tyre janë shumë të shkurtër. Më e shprehur kjo problematikë është tek foshnjat 0-6 muajsh e në zonat malore dhe te nënat pa arsim, ku niveli arrin rreth 30 për qind. Gjithashtu 17 për qind e fëmijëve nën 5 vjeç dhe 19 për qind e grave paraqesin anemi të shkallëve të ndryshme.
Shkak i saj është ushqyerja e pakët me ushqime që përmbajnë hekur, folate, vit B12 etj”, thuhet nga vëzhgimet e raportuara prej strukturave tona shëndetësore dhe Organizatës Botërore të Shëndetësisë. Për të qëndruar sa më larg këtyre problemeve mjekët këshillojnë që gratë shtatzana të orientohen drejt një ushqyerje të shëndetshme, që konsiston në konsumin e një larmie të madhe ushqimesh përmbajtja e të cilave duhet të jetë e orientuar drejt perimeve, zarzavateve dhe frutave. “Një grua shtatzanë duhet të hajë një ushqim të larmishëm, të pasur me kalori që të mund të ushqejë mirë bebin e vet, i cili ka nevojë që të rritet. Gjate 3 muajve të parë të shtatzanisë ju nuk duhet të ndryshoni sasinë e kalorive që merrni. Këto kalori nuk duhet të shtohen. Kjo do të thotë që ju nuk duhet të hani për dy vetë”.
Mënyra më e mirë për të nisur këtë gjë është fakti i njohjes së kequshqyerjes, e cila ndodh në rastet kur trupi nuk merr sasinë e nevojshme të energjisë (kalorive), proteinave, karbohidrateve, yndyrave, vitaminave, mineraleve dhe lëndëve të tjera të nevojshme për të mbajtur të shëndetshëm organizmin dhe për funksionimin e mirë të tij”.
UNICEF: shtesat e vitaminave që duhen gjatë shtatzanisë
• Gjatë shtatzënisë vërehet një shtim i përgjithshëm i nevojave për të gjitha vitaminat dhe mineralet. Por, një ushqyerje e ekuilibruar, e shumëllojshme e shumëngjyrëshe e bën të panevojshme marrjen e preparateve me vitamina, dhe minerale me përjashtim të acidit folik dhe jodit.
• Gratë të paktën tre muajt e parë të fillimit të shtatzënisë duhet të fillojnë të marrin përditë shtesa me acid folik dhe i vazhdojnë ato deri në 21-28 ditë pas konceptimit, apo 6 javë pas fillimit të periodave të fundit.
• Për të parandaluar aneminë gjatë shtatzënisë keni nevojë të merrni ushqime të pasura me hekur,ndërsa për të trajtuar aneminë duhet të merrni mjekim sipas këshillës së mjekut.
• Jodi është përbërës i gjëndrës tiroide. Roli tij është veçanërisht me rëndësi në zhvillimin e trurit, pra në inteligjencën e fëmijës.
Çfarë duhet të dinë gratë
Ushqyerja e nënës ka një rol të rëndësishëm në ecurinë dhe në përfundimin e shtatzënisë. Një nënë e ushqyer mirë që para se të filloj shtatzënia, si dhe ushqyerja e duhur gjatë shtatzënisë janë kushte thelbësore për parandalimin e problemeve më të rënda për shëndetin tuaj dhe shëndetin e foshnjës tuaj të ardhshme.
Gjatë shtatzanisë mos hani për dy vetë, por hani një vakt të vogël shtesë çdo ditë për të siguruar energjinë dhe ushqimin për ju dhe për rritjen e fëmijës tuaj. Gjatë ushqyerjes me gji, hani dy vakte të vogla shtesë çdo ditë (zemra e paradites dhe mbas ditës) për të siguruar energjinë dhe ushqimin për ju dhe për rritjen e fëmijës tuaj.
Gjatë shtatzënisë dhe ushqyerjes me gji, hani çdo ditë ushqime të ndryshme dhe më të mirat që keni në dispozicion, të zonës suaj. Nuk keni nevojë për ushqim të veçantë për të prodhuar qumështin e gjirit. Nënat adoleshente, kanë nevojë për më shumë kujdes, më shumë ushqim dhe më shumë pushim se nënat e tjera.