Drejtori i SHSKUK-së dr. Valbon Krasniqi ka ndryshuar përbërjen e komisionit të konkursit për pranimin e specialistëve.
U.d. drejtori i Shërbimit Spitalor Klinik Universitar Dr. Valbon Krasniqi, me një vendim ka ndërruar një anëtar të Komisionit të konkursit për pranimin e specialistëve, shkruan Gazeta Shneta.
Në vendimin e datës së 14 dhjetor, ditë kjo kur janë mbajtur edhe intervistat për kandidatët që i kanë plotësuar kushtet për aplikim, Krasniqi ka larguar nga komisioni anëtarin Alban Janova. Ky i fundit ushtron detyrën e Shefit të Zyrës së Burimeve njerëzore në nivel të SHSKUK-së.
Gazeta ka parë vendimin në të cilin nuk është dhënë ndonjë arsyetim për ndërrimin e anëtarit të Komisionit. Në vend të Janovës është emëruar Havushe Rexhepi nga sektori i personelit të QKUK-së.
SHSKUK më 17 nëntor ka hapur konkursin për rreth 150 pozita të lira për specialistët e papunë në Kosovë. Konkursi ishte hapur në kohën kur Krasniqi ishte i infektuar me Covid-19 dhe zëvendësohej nga këshilltari i ministrit Zemaj, Saudin Maliqi. Ky i fundit kishte themeluar edhe komisionin.
Kujtojmë se në SHSKUK është në proces edhe konkursi për drejtor të përgjithshëm ku deri më tani kanë aplikuar këshilltari i Zemajt, Saudin Maliqi, ish-këshilltari i Basri Sejdiut – Driton Ukmata, dhe dy kandidatë të tjerë janë Gani Halilaj dhe Gloria Staka.
Komisioni në këtë konkurs përbëhet nga kryesuesi i Bordit të SHSKUK-së Xhevat Jakupi, këshilltari i Zemajt, Diellor Rizaj, anëtarja e bordit Vjollca Kodolli, Haki Smajli dhe Ismet Berisha.
Gazeta ka raportuar edhe ditë më parë për politizimin e këtij komisioni përmes këshilltarit të Zemajt. /Gazeta Shneta/