Pandemia në Indi është kthyer me një valë vrasëse duke rritur skajshëm numrin e vdekjeve, në spitale nuk ka shtretër të lirë dhe pacientët e kanë shumë të vështirë të sigurojnë ilaçe dhe oksigjen.
Në Indi deri më tani janë konfirmuar mbi 186 mijë raste të vdekjeve dhe 16 milionë raste pozitive me Covid-19. Tre milion janë shtuar vetëm në dy javët e fundit dhe vendi vazhdon të përballet me shifra rekorde, raporton BBC, transmeton Gazeta Shneta.
Efektet e pandemisë shihen në imazhet e krematoriumeve ku familjarët presin me ankth për orë të tëra për të kryer ritet e fundit për trupat e pacientëve të vdekur.
Gazetarët në qytete të ndryshme kanë sfiduar shifrat zyrtare për vdekjet, duke qëndruar jashtë krematoriumeve për disa ditë. Vlerësimet e tyre sugjerojnë se vdekjet në disa qytete janë dhjetë herë më të larta sesa ato që raportohen zyrtarisht.
BBC në Indi raportoi javën e kaluar se oxhaku në një krematorium javën e kaluar kishte filluar të shkrinte për shkak të nxehtësisë së lartë nga djegia e vazhdueshme.
Spitalet në Indi kanë alarmuar tërë vendin se nuk kanë më shtretër të lirë dhe furnizimi me oksigjen është në limitet e fundit. Njerëzit e sëmurë me Covid po detyrohen të gjejnë zgjidhje për trajtim në shtëpitë e tyre.
Një bombolë me oksigjen 50 litra kushton rreth 80 dollarë, ndërsa në tregun e zi çmimi shkon nga 660 deri në 1330 dollarë. /Gazeta Shneta/