Vendimi për pezullimin e programit elektiv dhe punën në ambulancat specialistike në spitalet publike të Kosovës do të vazhdojë edhe pas datës 4 maj, ndërsa ordinancat stomatologjike dhe fizioterapeutët do të mund të punojnë pas datës 18 maj.
Kështu ka bërë të ditur sot ministri i Shëndetësisë Dr. Arben Vitia. Ai ka thënë se në varësi të situatës epidemiologjike, masat do të rishikohen përsëri, shkruan Gazeta Shneta.
“Do të vazhdojë pezullimi i operacioneve elektive sepse kemi një situatë ku varet sa do të respektohen masat dhe duhet të ruajmë kapacitetet shëndetësore, qoftë infrastrukturën apo materialin nëse do të ketë rritje të rasteve. Por konform situatës në terren dhe rekomandimeve të institutit masat do të ndryshohen”, ka deklaruar Vitija.
Ministria e Shëndetësisë ka publikuar sot tre fazat e parapara për lehtësimin e masave të cilat do të ndodhin më 4 maj, më 18 maj dhe më 1 qershor. Dentistët dhe ordinancat e fizioterapisë do të mund të rikthehen në punë pas datës 18 maj, por me disa specifika për mbrojtjen e pacientëve nga Covid-19. /Gazeta Shneta/