Nënkryetari i Partisë Demokratike të Kosovës Uran Ismaili ka folur në një konferencë për media për vdekjen e 26-vjeçarit Agon Musliu. I ndjeri dyshohet se ka rënë nga kati i pestë në Qendrën e Studentëve në Prishtinë ku ishte duke qëndruar në karantinë.
Ismaili ka shprehur ngushëllime familjes Musliu duke thënë se vdekja e djalit të tyre e ka tronditur. Ish-ministri i Shëndetësisë ka thënë se ambasada e Kosovës në Berlin kishte kërkuar që 26-vjeçari të dërgohej në shtëpi, por përkundër kësaj kërkese ai ishte vendosur në karantinë, transmeton Gazeta Shneta.
“Ngjarja bëhet më e dhimbshme kur dihet se ky i ri kishte probleme serioze shëndetësore dhe kishte dokumente që e dëshmonin një gjë të tillë. Kishte një kërkesë nga familja e tij që ai të lirohej, ndërsa vet Agoni kishte kërkuar të mos mbahej në izolim”.
“Ndërkohë sa po qëndronte në karantinë, ishte kërkuar edhe ndihma e mjekëve duke qenë se Agoni ishte në depresion, ashtu siç konfirmohet edhe nga Qendra Operative e Gjilanit drejtuar Ministrisë së Shëndetësisë dhe Punëve të Brendshme. Përkundër që ishin njoftuar me kohë, këto dy ministri nuk kishin reaguar duke e lënë të vetmuar”, ka deklaruar Ismajli.
Ai ka kërkuar dorëheqjen e dy ministrave, atë të Punëve të Brendshme Xhelal Sveçla dhe ministrit të Shëndetësisë Arben Vitia. “Agoni ishte në përkujdesjen e shtetit, këtu nuk ka dilemë”, ka deklaruar Ismajli. Ai ka thënë se personalisht do të jepte dorëheqje nëse do të ishte në pozitën e ministrit. /Gazeta Shneta/