Gjykata Themelore në Prishtinë ka pranuar kërkesën për vazhdimin e paraburgimit për Naser Gurin.
Guri është arrestuar për rastin e tri vdekjeve të dyshimta në QKUK, pasi furnizonte klinikat me gaz oksidul të prodhuar pa licencë në Kosovë, shkruan Gazeta Shneta.
Kërkesën për vazhdimin e paraburgimit e ka konfirmuar avokati i Gurit, Bajram Tmava.
Ai ka bërë të ditur për Gazeta Shneta se e ka kundërshtuar këtë kërkesë.
“E kam marr kërkesën për vazhdimin e paraburgimit. E kam kundërshtuar të njëjtën dhe ende nuk e kam vendimin e gjykatës”, ka deklaruar Tmava.
Gurit i ishte caktuar masa e paraburgimit prej një muaj, nga 5 tetori deri më 5 nëntor.
Kompania e Gurit në Kaçanik, “Bubeari Komerc”, prodhonte gazin oksidul pa licencë, i cili deri më tani dyshohet të jetë shkaku i vdekjeve të pacientëve.
Prokuroria ka marr disa mostra të këtij gazi nga QKUK-ja për t’i kryer analizat, por deri më tani nuk ka pasur ndonjë rezultat.
Poashtu janë duke u zvarritur edhe analizat e obduksionit të tre trupave të pacientëve të vdekur. /Gazeta Shneta/