Një mjek dhe dy infermiere të Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare në Fushë Kosovë janë vet karantinuar për shkak të dyshimeve për koronavirus.
Mjeku dhe infermieret janë vendosur në vetizolim pasi kanë pasur kontakt me pacientin i cili është konfirmuar pozitiv me Covid-19 nga Fushë Kosova më 12 prill, shkruan Gazeta Shneta.
Lajmin për Gazetën e ka konfirmuar drejtori i QKMF-së Dr. Osman Maxhera. Ai ka thënë se mjeku dhe infermieret kanë qenë të mbrojtur gjatë kohës sa e kanë kontrolluar pacientin me Covid19, por për siguri dhe me rekomandim të Institutit Kombëtar dhe Inspektoratit Shëndetësor, kanë shkuar në vetizolim.
“Një mjek dhe dy infermiere janë vendosur në vetizolim për shkak të sigurisë pasi e kanë kontrolluar pacientin në fjalë, por mund t’ju siguroj se ata i kanë pasur pajisjet mbrojtëse gjatë kohës sa e kanë kontrolluar pacientin. Kanë mbajtur maska me filtër, jo maska kirurgjike dhe të gjitha pajisjet tjera i kanë pasur”, ka deklaruar Maxhera, teksa ka shtuar se pacienti nuk ka pasur simptoma të virusit por ankesa të tjera.
Maxhera ka deklaruar se pas këtij rasti është dezinfektuar hapësira e QKMF-së.
Kujtojmë se në Fushë Kosovë janë të konfirmuar katër raste pozitive me koronavirus, ndërsa në gjithë Kosovën janë konfirmuar deri më tani 377 raste me 8 viktima. /Gazeta Shneta/