Gjatë vikendit në Barnatoren e Qendrës Klinike Universitare të Kosovës janë vjedhur anestetikë me vlerë deri në 3000 euro dhe me këtë rast janë suspenduar 2 persona të dyshuar, ka konfirmuar për Gazeta Blic ushtruesi i drejtorit të ShSKUK-së, Basri Sejdiu.
Si të dyshuar kryesor për këtë vjedhje janë dy personat përgjegjës që kanë poseduar edhe çelësin, të cilët janë suspenduar menjëherë nga drejtori i ShSKUK.
“Gjatë vikendit ka ndodhur, në barnatoret afër kirurgjisë është vërejtur nga ndërrimi që ka ardhur që mungojnë anestetikë, një sasi e madhe mungesë, policia është lajmëruar dhe unë menjëherë kam marrë vendim për suspendim të personave që kanë poseduar çelësin”, tha Sejdiu
Në afërsi të barnatores dhe brenda nuk ka pasur kamera të cilat do të mund t’i ndihmonin policisë në procesin e hetimeve, tha Sejdiu, duke shtuar se momentalisht policia është duke i kryer hetimet.
”Nuk ka pasur kamera.Policia i vazhdon hetimet e veta, mirëpo së pari janë suspenduar ata që i kanë pasur çelësat.”, shtoi ai.
Dy personat e suspenduar, emrat e të cilëve nuk i ka bërë të ditur Sejdiu, janë përgjegjës të barnatores dhe janë suspenduar menjëherë nga detyra nën dyshimet për vjedhje të anestetikëve me vlerë nga 2000 deri në 3000.