Vitia dhe Orlando përuruan laboratorin e mikrobiologjisë në Infektivë

2020-02-24 në ora 16:00

Në Klinikën Infektive të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës sot është përuruar laboratori i modern mikrobiologjisë, i bërë me fondet e projektit “Mbështetje për Sistemin Shëndetësor të Kosovës”, nga Agjencia Italiane për Bashkëpunim dhe Zhvillim.

Në këtë ceremoni morën pjesë drejtori i SHSKUK-së, Basri Sejdiu, Ministri i Shëndetësisë Arben Vitia dhe ambasadori italian në Kosovë, Nicola Orlando.

Ministri Vitia theksoi se përurimi i këtij laboratori është një tregues i qartë se ky projekt italian po jep rezultate të drejtpërdrejta në fuqizimin e kapaciteteve të institucioneve shëndetësore kosovare, për t’u ballafaqur me sfida serioze të shëndetit publik, siç janë edhe infeksionet spitalore dhe rezistenca antimikrobike.

“Ministria e Shëndetësisë ka aprovuar vitin që shkoi Planin Strategjik për Rezistencën Antimikrobike 2019-2021 si dhe ka nxjerrë vendimin për themelimin e Grupit Ndërsektorial për Kontrollin e Rezistencës Antimikrobike (GNKRA), i cili është përgjegjës për zbatimin e Planit të Veprimit. Në zbatim të këtij Plani të veprimit që përfshin gjithsejt 47 aktivitete të parapara për t’u realizuar për 3 vjet, 26 prej këtyre aktiviteteve mbështeten nga AICS, në mesin e të cilave edhe aktiviteti që po realizohet sot me përurimin e Laboratorit klinik të Mikrobiologjisë”, nënvizoi ai.

Sipas tij, Ministria e Shëndetësisë do të jetë në nivel të përgjegjësisë që i takon, duke mbështetur institucionet në adresimin e çdo problemi të shëndetit publik dhe njëkohësisht, duke mbajtur partneritetin serioz me të gjithë kontributorët në shëndetësi siç është edhe ky investim i përuruar sot.

Në fund, Ministri Vitia, ka shprehur besimin e tij se pajisijet e reja të përdoren, ruhen e mirëmbhaen me kujdes, në mënyrë që t’i shërbejnë përmirësimit të cilësisë së shërbimeve shëndetësore dhe ngritjes së cilësisë së tyre , ai ka falenderuar Agjenicën Italine për Bashkëpunim dhe Zhvillim për investimin e bërë.

Ndërsa ambasadori italian, Nicola Orlando, tha se Italia do të jetë përkrahë partnerëve siç është Kosova.

“Gjindemi para sfidave që nuk kanë kufinjë, Italia është në linjën e parë që përballet me këto sfida, mbi të gjitha Italia do jetë afër partnerëve të saj, në këtë rast Kosovës, ky projeet që pamë sot është punë 10 vjeçare e Agjencisë për Zhvilllim dhe Bashkëpunim në Kosovë” theksoi ambsadori Orland

Ai theksoi se janë shumë të kënaqur me kapacitetin dhe vullnetin e punëtorëve shëndetësorë të Kosovës

Duke e falënderuar për investimin e bërë, drejtori i SHSKUK-së, Basri Sejdiu, ka ndarë një mirënjohje për Ambasadorin italian dhe Agjencinë për Zhvillim dhe Bashkëpunim. /Gazeta Shneta/