Ministri aktual i Shëndetësisë Arben Vitia dhe ish-ministri Armend Zemaj janë përplasur sërish në Kuvend në Komisionin Parlamentar për Shëndetësi.
Zemaj e ka akuzuar Vitinë se më shumë është marr me punë periferike sesa me menaxhimin e pandemisë. Zemaj ka thënë se nëse do të kishte Qeveri serioze, Vitia nuk do të ishte sot në Komision duke aluduar në shkarkimin e tij, shkruan Gazeta Shneta.
Zemaj ka kërkuar sqarime nga Vitia për largimin e inspektorëve nga puna në qershor, si dhe për vendimin e masave të 12 gushtit kur u zgjat orari i klubeve të natës dhe u mbajtën të hapura ahengjet dhe dasmat.
“Largimi nga puna i inspektorëve dhe masat e 12 gushtit. Pse kishte lirim e jo ndalim të aktiviteteve në kohën kur kishim ngritje të rasteve pozitive në tre ditë 9,10,11 gusht. Krejt kjo situatë tregon se nuk keni qenë vigjilent dhe i kemi bartur pasojat me shumë viktima. Është java e zezë”, ka thënë Zemaj.
Në anën tjetër Vitia është kundërpërgjigjur duke thënë se MSH fokusin e kryesor e ka pas në menaxhimin e pandemisë. Ai ka deklaruar se për përgjegjësinë që e mban nuk e drejton gishtin në asnjë institucion tjetër.
“Të gjitha masat janë menduar dhe analizuar mirë. Masat e 12 gushtit, raportet nga data 5 gusht dhe në fund të korrikut që tregojnë për vigjilencë të shtuar”, ka deklaruar Vitia.
Ai i është drejtuar Zemajt me një rekomandim të datës 3 nëntor të vitit 2020, kur MSH drejtohej nga Zemaj, IKSHPK kishte kërkuar mbyllje totale për shkak të situatës së krijuar. “Në atë kohë këto rekomandime nuk janë zbatuar. MSH në atë kohë ka marr vendim për lirim të masave”, i është drejtuar Vitia, Zemajt.
Ky i fundit ka thënë se mbyllja totale në atë kohë ishte një nga rekomandimet. /Gazeta Shneta/