Ministri i Shëndetësisë Dr. Arben Vitia sot ka raportuar para Komisionit për Shëndetësi në Kuvendin e Kosovës për situatën e krijuar pas shfaqjes së koronavirusit Covid-19 në disa vende të rajonit.
Vitia ka thënë se para se virusi të shfaqej në Itali, kishin planifikuar blerjen e materialeve në vlerë 100 mijë euro, por pas shumëfishimit të çmimit të maskave në treg ky planifikim ishte ndryshuar dhe kanë kërkuar nga Qeveria buxhet 400 mijë euro, i cili u nda sot në mbledhjen e kryesuar nga kryeministrit Albin Kurti, shkruan Gazeta Shneta.
Vitia ka konfirmuar se aktualisht në Kosovë asnjë depo farmaceutike nuk ka maska FFP2 të cilat janë të standardit që mbrojnë nga viruset. Ai ka thënë se do të gjenden mënyrat për të furnizuar spitalet në mënyrë që të mbrohen stafi mjekësor.
Vitia ka pranuar se në skenarin më të keq mund të përballen me mungesë të respiratorëve por për këtë çështje ka kërkuar përgjigje nga drejtori i SHSKUK-së Dr. Basri Sejdiu.
Ministri ka thënë se nuk ka nevojë për panik pasi të gjithë udhëtarët që vijnë nga vendet e prekura nga koronavirusi po kontrollohen në pikat kufitare dhe Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës.
Në anën tjetër ish-ministri i Shëndetësisë Uran Ismaili ka thënë se duhet të merren masa që të mbrohen stafi mjekësor dhe të furnizohen me materialet e nevojshme, pasi nëse ata preken nga sëmundja atëherë do të jenë një burim infeksioni. Ismaili ka thënë se maskat mund të blihen edhe përmes kompanive ndërkombëtare që operojnë në Kosovë.
Deputeti tjetër i PDK-së Bekim Haxhiu ka kërkuar nga krerët e institucioneve që Klinika Infektive të mos shndërrohet në triazhim të pacientëve.
Ndërkaq deputeti i LDK-së Haxhi Avdyli ka kërkuar që të merren masa që Infektiva të jetë e pajisur me respirator në rast nevoje për pacientët e sëmurë nga koronavirusi. /Gazeta Shneta/