Ministri i Shëndetësisë Dr. Arben Vitia ia nisur vizitat zyrtare në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.
Vizitën e parë në cilësinë e ministrit të Shëndetësisë Vitia e ka bërë në Klinikën e Përgjithshme të Kirurgjisë Abdominale në QKUK, shkruan Gazeta Shneta.
Bashkë me drejtorin e SHSKUK-së Dr. Basri Sejdiu, Vitia është pritur nga drejtori i Klinikës Dr. Ferat Sallahu. Ministri është njoftuar nga afër me gjendjen e klinikës e cila ka nevojë për renovime.
Në këtë takim kirurgët kanë diskutuar çështjen më të rëndësishme, atë të pagave. Ata kanë kërkuar nga Vitia që t’ua jap një qëndrim lidhur me këtë problem. Gazeta ka mësuar nga takimi se Vitia është zotuar se do ta mbaj premtimin për ngritjen e koeficientit për mjekët specialistë 6.0. Këtë premtim Vitia e kishte dhënë gjatë fushatës për zgjedhjet e 6 tetorit të vitit të kaluar.
Kujtojmë se kirurgët kanë qenë ndër më të zëshmit për rritjen e rrogave për specialistët. Vitin e kaluar ata patën mbajtur grevë rreth 2 muajshe ku kërkonin pagën e nivelit të gjyqtarëve dhe prokurorëve.
Pas hyrjes në fuqi të Ligjit të Pagave kirurgët e ndërprenë grevën por në fakt ligji nuk u zbatua kurrë e madje u pezullua nga Gjykata Kushtetuese. Kjo e fundit pritet të marr një vendim gjatë muajit mars për t’i hapur rrugë pastaj zbatimit. /Gazeta Shneta/