Vlerësohet lartë kontributi shkencor dhe veprimtaria kombëtare e Dr. Mujë Shalës

2018-08-14 në ora 14:47

Në amfiteatrin e Dekanatit të Fakultetit të Mjekësisë, është mbajtur sot mbledhje komemorative në të cilën është përkujtuar jeta dhe vepra e Prof. Dr. Mujë Shalës, i cili ndërroi jetë gjatë ditës së djeshme. I ndjeri është kujtuar nga familjarë, miq, bashkëpunëtorë dhe udhëheqës të institucioneve

Ariana Ismaili

Familjarë, miq, bashkëpunëtorë e udhëheqës të institucioneve janë mbledhur sot për të përkujtuar jetën dhe veprën e themeluesit të Klinikës së Neonatologjisë në QKUK, prof.dr. Mujë Shalës, i cili ndërroi jetë të hënën.

Mbledhja komemorative e mbajtur në amfiteatrin e Dekanatit të Fakultetit të Mjekësisë, nisi me një minutë heshtje në shenjë respekti e pastaj u lexua edhe një telegram ngushëllimi i dërguar nga Kryeministri Ramush Hajardinaj. Ai ka shprehur ngushëllimet më të thella, duke përmendur edhe aktivitetin e të ndjerit gjatë periudhës së luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, shkruan Gazeta Shneta.

“Mujë Shala i kontribuoi atdheut me përkushtim dhe profesionalizëm të lartë, edhe gjatë luftës çlirimtare ishte aty ku luftohej për jetën”, thuhej mes tjerash në telegram. Ngushëllime shprehu edhe ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqri Bytyqi, duke thënë se kjo është humbje e një intelektuali të madh.

“Botimet e tij, puna dhe punimet, janë kontribut në shkencën dhe kanë një vlerë të veçantë për vendin tonë”, ka thënë Bytyqi. Me këtë rast, edhe ministri i Shëndetësisë, Uran Ismaili, shprehi ngushëllimet e tij, duke thënë se Mujë Shalën e kishte pasur fqinjë gjatë fëmijërisë, dhe kujtimi i tij do mbetët i pavdekshëm.

“Jemi të mbushur me pikëllim, unë kur isha fëmijë e njihja si fqinjë, por nuk e dija se qendra e punës së tij janë fëmijët. Ai ka shpëtuar shumë fëmijë kur vendi ishte në kohë krize”, ka thënë Ismaili.

Të pazëvendësueshëm e ka konsideruar të ndjerin, rektori i Universitetit të Prishtinës, Marjan Dema. “Vdekja e tij lë një boshllëk të pazëvendësueshëm, puna dhe veprat e tij janë gjëja më e rëndësishme”, ka shtuar Demaj.

Dr. Xhevdet Gojnovci, njëri nga ish-studentët e profesorit të mjekësisë, e ka vlerësuar lartë të ndjerin si profesionistë. “Ne të gjithë në klinikë jemi nxënësit e tij, dhe duhet shkuar hapave të tij”, ka thënë Gojnovci.

Mbledhja u përmbyllë me fjalimin e shkurtë të të birit të Mujë Shalës, Endrit Shalës, i cili ka falënderuar për lëvdatat e secilit, drejtuar të atit të ndjerë. Mujë Shala, i lindur në vitin 1950, në Skenderaj, shkollimin e kreu në vendlindje, ndërsa studimet i përfundoi në Beograd në vitin 1976, kurse në Zagreb vazhdoi në pediatri, e në vitin 1989 kreu edhe doktoraturën. Ai ka botuar disa libra dhe punime shkencore. /Gazeta Shneta/