Në një intervistë ekskluzive me Konrad Busen të DW-së, shefi ekzekutiv i BioNTech, Ugur Sahin shpjegon se si firma do t’i përgjigjet një varianti të ri të virusit që është zhvilluar kohët e fundit dhe pse ai nuk është vaksinuar.
Dr. Ugur Sahin është bashkëthemelues dhe shef ekzekutiv i firmës gjermane të bioteknologjisë BioNTech, shkruan DW.
Në bashkëpunim me kompaninë farmaceutike Pfizer të SHBA-së, kompania është e para që ka zbuluar një vaksinë të koronavirusit të aprovuar në BE, përcjell Gazeta Shneta.
Dr. Sahin është një mjek i specializuar në imunoterapi dhe onkologji.
Ai foli me gazetarin e DW, Konrad Busen për shpërndarjen e vaksinës, reagimin e kompanisë ndaj variantit të ri më ngjitës të Covid-19, dhe pse shkencëtarët e BioNTech nuk janë superhero.
Gazetari Konrad Busen: Dr. Sahin, çfarë do të thotë miratimi i vaksinës BioNTech-Pfizer nga Bashkimi Evropian për përfundimin e pandemisë?
Dr. Ugur Sahin: Ky është një hap shumë i rëndësishëm. Është vaksina e parë e aprovuar në Evropë. Kjo do të thotë që tani mund të fillojmë vaksinimin e popullatës evropiane.
Ne kemi marrë një aprovim edhe në Zvicër. Ne po fillojmë me vaksinimet dhe gjithashtu presim që të jetë një përfitim për personat e vaksinuar.
Për shembull, ne shpresojmë që të lehtësojmë shtrimin në spital të të moshuarve brenda disa muajve të ardhshëm.
Ne gjithashtu presim që pasi furnizuesit shtesë të vaksinave të marrin miratime, ne do të jemi në gjendje të prodhojmë një sasi të mjaftueshme të dozave të vaksinave dhe të jemi në gjendje të arrijmë një normë të mjaftueshme të imunizimit ndërmjet 60 deri në 70%.
Kjo mund të na ndihmojë të kontrollojmë pandeminë përpara dimrit të ardhshëm të 2021-2022.
Gazetari Busen: Ne kemi parë në lajme për variantin e ri që përhapet shpejt – një mutacion i virusit. A mund ta dini, a është vaksina juaj efikase kundër këtij varianti?
Ne nuk e dimë deri më tani, sepse ende nuk e kemi testuar. Në dy javët e ardhshme, ne do të ndërtojmë një pjesë të këtij varianti të ri të virusit dhe do të vlerësojmë nëse përgjigjet imune kundër vaksinave tona janë në gjendje ta inaktivojnë atë.
Shkencërisht, gjasat janë të mëdha sepse ky variant ka mutacione të shumta dhe vetëm 1% e proteinave përkatëse ka ndryshuar. Kjo do të thotë që 99% janë akoma të njëjta dhe ne e dimë se përgjigjja imune që përdor vaksina jonë po sulmon këtë proteinë nga shumë anë.
Kështu që gjasat janë të mëdha që vaksina të funksionojë akoma. Por ne do t’i marrim rezultatet brenda dy javësh dhe atëherë mund të jemi të sigurt.
Gazetari Busen: Nëse zbuloni se do të duhet të krijoni një vaksinë të re kundër virusit të mutuar ose variantit të ri, sa kohë do t’ju marr zhvillimi i një vaksine të tillë?
Teknikisht, ne mund të prodhojmë një vaksinë të re në rreth gjashtë javë. Por zhvillimi ka shumë të ngjarë të zgjasë më shumë sepse do të duhet të tregojmë për vaksinën e re kundër variantit të ri që prodhon përgjigje imune.
Dhe ne do të duhet të diskutojmë me autoritetet nëse ata do të pranonin një ndryshim të tillë të vaksinës. Ky është një diskutim shkencor dhe mjekësor.
Gazetari Busen: Është bërë shumë sfiduese shpërndarja e vaksinës tuaj, duke pasur parasysh temperaturat shumë të ulëta që janë të nevojshme. A parashikoni ndonjë ndërlikim kur filloni dërgimin e vaksinës në Bashkimin Evropian?
Aspak. Këto temperatura ultra të ftohta nuk janë asgjë e re. Transporti i akullit të thatë është i njohur për më shumë se 50 vjet. Nuk është teknologji e përparuar. Është vetëm një kuti me akull të thatë dhe ka shumë ofrues të akullit të thatë që na ndihmojnë ta kryejmë detyrën.
Kutitë transportohen në vend dhe më pas personeli mjekësor mund të nxjerrë vaksinat nga kutitë dhe t’i vendosë në një frigorifer. Vaksinat do të jenë të qëndrueshme për pesë ditë dhe ne e dimë se ekziston një interes i madh për fillimin e vaksinimeve. Pra, kjo nuk është një sfidë e vërtetë.
Gazetari Busen: Vendet e industrializuara tani kanë vaksinën, por vendet e varfëra nuk kanë qasje në vaksinë. A nuk është e padrejtë kjo?
Jo, nuk mendoj se është e vërtetë. Në javët e fundit, ne kemi parë miratime në më shumë se 40 vende, përfshirë vendet në zhvillim ekonomik si Meksika ose shtetet në Amerikën e Jugut.
Ne jemi vërtet të interesuar t’i bëjmë të mundshme vaksinat tona, në nivel global. Dhe ne jemi duke punuar me autoritetet në të gjithë botën për t’u siguruar që ata mund të kenë akses në vaksinat tona.
Gazetari Busen: Më lejoni t’ju bëj një pyetje personale: Ju dhe gruaja juaj Dr. Özlem Türeci keni luajtur një rol kaq qendror në gjetjen e një zgjidhjeje për luftimin e koronavirusit. Si e përjetoni këtë ndjenjë?
Ne jemi jashtëzakonisht të përqendruar. Kjo është ajo që ne kemi bërë për më shumë se 20 vjet.
Është kërkimi ynë, kjo është mënyra sesi merremi me sfidat shkencore dhe mjekësore dhe natyrisht që e dimë që njerëzit i kushtojnë shumë vëmendje asaj që bëjmë. Por ne nuk e shohim atë si diçka personale. Ne e shohim që puna jonë është e rëndësishme.
Ne nuk jemi vetëm. Ne jemi duke punuar së bashku me një ekip të klasit botëror këtu në Mainz.
Ne jemi duke punuar së bashku me një partner të klasit botëror në Shtetet e Bashkuara.
Ne kemi aq shumë mbështetje nga shumë kompani të tjera e që nuk ndihemi vetëm dhe që mund të kujdesemi për këtë sfidë të madhe së bashku si një ekip.
Gazetari Busen: Ju jeni superheronjtë shkencorë!
Ne jemi shkencëtarë. Dhe shkenca që bëmë ishte e rëndësishme. Por ne nuk ishim vetëm në zhvillimin e kësaj shkence.
Unë mendoj se i gjithë komuniteti shkencor është një ‘superhero’ dhe duhet të konsiderohet me të vërtetë, jo si një ngjarje e vetme, por si një investim në kërkime nga kaq shumë shkencëtarë të ndryshëm që kanë kontribuar derisa të arrihet kjo.
Gazetari Busen: Ende nuk jeni vaksinuar: Pse jo?
Ne ligjërisht nuk na lejohet të marrim vaksinën. Sigurisht, ne e konsiderojmë këtë mundësi.
Është më e rëndësishme për ne që bashkëpunëtorët dhe partnerët tanë të vaksinohen, kështu që qëllimi ynë është të prodhojmë më shumë se 1.3 miliardë doza në 2021.
Dhe kjo mund të bëhet vetëm nëse mund të vazhdojmë të punojmë 24/7 pa ndërprerje.
Gazetari Busen: Pse ligjërisht nuk ju lejohet të merrni vaksinën?
E dini, ekziston një listë prioritare. Nuk lejohet të merret vaksina jashtë asaj liste përparësie.
Ajo që është gjithashtu e rëndësishme: ne madje nuk na lejohej të merrnim pjesë në prova klinike, sepse me ligj nuk është e mundur të përfshihen njerëz nga kompania në prova të tilla, gjë që është mirë.
Por tani përballemi me sfidën për t’u siguruar që kompania jonë është në gjendje të funksionojë dhe besoj se do të gjejmë një zgjidhje ligjore dhe të ndershme për këtë. /Gazeta Shneta/