Ministri i Shëndetësisë Armend Zemaj është dekoruar me medaljen e artë si “Misionar i Paqes dhe zhvillimit Martin Luther King” nga organizata “Misioni Diplomatik Ndërkombëtar”. Por kjo organizatë dyshohet se merret me shitjen e këtyre titujve me një çmim prej 7 mijë eurosh.
Misioni Diplomatik për Paqe dhe Prosperitet nga e cila Armend Zemaj e mori çmimin “Misionar i Paqes dhe zhvillimit Martin Luther King” dyshohet për shitje të titujve në emër të Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB).
Sipas një hulumtimi të emisionit investigativ italian “Strisca la notizia”, del se kjo organizatë jep çmime me titujt si diplomatë të OKB-së në shkëmbim të 7 mijë eurove, shkruan gazeta inFokus.
Sipas emisionit protagonist i këtij skandalit është Shefki Hysa, një personazh i dyshuar për mashtrime, që mban një titull si guvernator i Misionit Diplomatik për Paqe dhe Prosperitet.
Hysa është bërë i njohur për media për shkak të aktiviteteve të tij të dyshimta duke shpërndarë tituj fiktiv si ‘Diplomat i OKB-së”, “Konsull Nderi i OKB-së e “Misionar i Paqes i OKB-së”, e madje posedim të tabelave diplomatike.
I njëjti të hënën shihet duke thurur lavde për ministrin Armend Zemaj, si ministri më i mirë në Kosovë dhe Ballkan kundër COVID-19, shkruan gazeta inFokus.
“Kemi nderin të kemi në mes nesh një personalitet që vjen nga një familje luftëtare, nga një familje heroinë e Kosovës, siç është familja e Tahir Zemajt. Armend Zemaj është nipi I tij, është jo vetëm një politikan, një ministër vërtetë model për Kosovën por do të thosha edhe më gjerë. Një ministër që ka ditur me inteligjencën e vet, me alturizmin e vet të luftoi këtë factor negativ që sot kemi nëpër këmbë”, ka thënë Hysa në ceremoninë e ndarjes së çmimit.
Ndërkaq, Zemaj ka pohuar se për të gjithë suksesin e arritur gjatë kësaj periudhe të vështirë për të gjithë popujt e botës, falënderim i veçantë i takon qytetarëve të Kosovës, mjekëve, profesionistëve shëndetësor, Policisë së Kosovës dhe të gjithë atyre që janë angazhuar në frontin e përbashkët kundër COVID-19.
Gazeta Infokus ka provuar të flas me Zemajn lidhur me çmimin dhe dyshimet për organizatën e cila e dekoroi atë, por ai nuk ka qenë I qasshëm.