Ministri në ikje i Shëndetësisë Armend Zemaj ka deleguar në odat e profesionistëve shëndetësorë, përfaqësues politik dhe një person të dyshuar për ngacmim seksual.
Zemaj me datën dy shkurt të këtij viti ka nxjerr disa vendime për delegimin e përfaqësuesve të Ministrisë së Shëndetësisë në odat e profesionistëve shëndetësorë. Por në fakt emrat që ka dërguar, janë më shumë përfaqësues politik sesa të institucionit, shkruan Gazeta Shneta.
Në Këshillin Drejtues të Odës së Mjekëve, Zemaj ka dërguar tre emra të cilët janë të lidhur me partinë e tij Lidhjen Demokratike të Kosovës, Zejdush Tahiri, Labinot Shahini dhe Ardian Mehmetaj.
Zejdush Tahiri ka qenë këshilltar i ish-ministrit Imet Rrahmani, por ishte shkarkuar me dyshimet për ngacmim seksual. Shahini ka qenë asamblist i LDK-së në Lipjan, ndërsa Ardian Mehmetaj u bë Sekretar në dy mandate të LDK-së në krye të MSH-së.
Në cilësinë e anëtarëve të Këshillit Mbikëqyrës të OMK-së, MSH ka deleguar Afrim Tahirin dhe Selam Demollin, kurse në Këshillin Etik, Fakete Hoxhën.
Për këto delegime ka reaguar kryetari i Odës së Mjekëve të Kosovës, Pleurat Sejdiu. Ai ka thënë se përpjekjet për të ndikuar përmes përfaqësuesve politik në Odë nuk do të lejohen.
“Oden e përfaqësojnë mjekët e jo përfaqësuesit politik. Mjekët i ndërtojnë strukturat dhe përfaqësuesit e tyre në Odë si organizatë vetëqeverisëse e mjekëve të Kosovës. Asnjë koleg i yni nuk duhet të bëhet pjesë e përpjekjeve për ndikime politike në organizatën tonë. Ne nuk do të lejojmë degradimin e proceseve që i kemi ndërtuar deri më sot. Ministria e Shëndetësisë ka të drejtë të dërgojë përfaqësuesit e saj, por dihet se çdo gjë politike është e përkohshme”, ka deklaruar Sejdiu.
Ai ka thënë se deri më tani nuk kanë marr asnjë vendim për ndërprerjen e mandatit të përfaqësuesve të mëhershëm dhe as për emërimin e të rinjve.
“Sipas asaj që jemi informuar jozyrtarisht, asnjëri kandidat nuk plotëson kushtet ligjore për përfaqësim. Njeri është menaxher i lart dhe bie ndesh me Ligjin e Shëndetësisë ku përcaktohen kushtet për të qenë anëtar i KD të OMK kurse dy të tjerët nuk janë të punësuar te MSH. Aq më tepër se njëri është anëtar i Kuvendit të OMK dhe tash përfaqëson MSH. Konflikt interesi”, ka deklaruar Sejdiu.
Ligji për Odat, neni 17, thotë se “Kryetari i Odës, zëvendëskryetarët, anëtarët e këshillit drejtues dhe sekretari i përgjithshëm nuk mund të jenë persona të zgjedhur dhe të emëruar në funksione tjera publike dhe politike, përveç profesionale mjekësore dhe në mësimdhënie”. Ky paragraf është i njëjtë edhe në Statutin e OMK-së, neni 28.
Edhe në Odën e Infermierëve të Kosovës, Zemaj ka deleguar një përfaqësues politik. Fitim Havolli, ish-kandidat i LDK-së në tre palë zgjedhje, është emëruar përfaqësues i MSH-së në Këshillin Drejtues të OIK. Bashkë me Havollin, janë deleguar edhe Nimon Bardhi e Florije Rexhepi.
Kryetari i OIK, Naser Rrustemaj, ka thënë për Front Online se emërimi i këtyre delegatëve është në kundërshtim me ligjin.
“Oda e Infermierëve, mamive dhe profesionistëve tjerë shëndetësor shpreh shqetësim se vendimi për emrimin e anëtarëve të Këshillit Drejtues është në kundërshtim me ligjin për Odat e Profesionistëve Shëndetësor me numër Nr. 04/L-150. Neni 17 i këtij Ligji precizon se Kryetari i Odës, zëvendëskryetarët, anëtarët e këshillit drejtues dhe sekretari i përgjithshëm nuk mund të jenë persona të zgjedhur dhe të emëruar në funksione tjera publike dhe politike, përveç profesionale mjekësore dhe në mësimdhënie”, ka deklaruar Rrustemaj. /Gazeta Shneta/