Ministri i Shëndetësisë Armend Zemaj ka kryesuar sot Komiteti për menaxhimin e situatës me pandeminë Covid-19 në Kosovë. Ai ka thënë se ka kërkuar të vazhdohet zbatimi i aktiviteteve të Planit të Veprimit, por duke iu adaptuar rrethanave të tanishme.
Ministri ka kërkuar poashtu nga institucionet përgjegjëse që të bëjnë monitorimin dhe mbikëqyrjen e zbatimit të masave duke intensifikuar inspektimet, transmeton Gazeta Shneta.
“Rivlerësimi dhe vendimi për hapjen e veprimtarive të tjera si aeroportet, kufijtë, ahengjet, banjat rehabilituese, panairet, pishinat, klubet e natës, etj., duhet të shoqërohet me analiza të bazuara në indikator matës ku kontributin kryesor duhet ta jap IKSHPK, ashtu që secili vendim i marrë, të jetë i qëndrueshëm dhe në përputhje me situatën epidemiologjike”, ka shkruar Zemaj në një postim në Facebook.
Lexoni postimi ne plotë:
Me qëllim të vlerësimit, koordinimit dhe mbajtjes së komunikimit konstant me institucionet përgjegjëse qeveritare për të vlerësuar situatën epidemiologjike me Covid-19, kryesova një takim të Komitetit për menaxhimin e pandemisë Covid-19, ku përveç raportimit nga të gjitha institucionet, u kërkova që të vazhdohet me zbatimin e aktiviteteve të Planit të Veprimit të Planit të gatishmërisë dhe reagimit ndaj Covid -19, duke adaptuar një qasje të përshtatshme për rrethanat.
Prioritet kryesor do ta kemi luftimin e pandemisë Covid-19, krahas objektivave të tjera, në tre ditë e fundit është përkthyer në 105 raste të reja të COVID-19 në Kosovë, dhe kjo kërkon nga institucionet monitoruese dhe mbikëqyrëse për zbatimin e masave të Qeverisë (Policia e Kosovës dhe inspektoratet qendrore dhe komunale) që të jenë sa më të pranishme me inspektime në veprimtaritë e lejuara.
Rivlerësimi dhe vendimi për hapjen e veprimtarive të tjera si aeroportet, kufijtë, ahengjet, banjat rehabilituese, panairet, pishinat, klubet e natës, etj., duhet të shoqërohet me analiza të bazuara në indikator matës ku kontributin kryesor duhet ta jap IKSHPK, ashtu që secili vendim i marrë, të jetë i qëndrueshëm dhe në përputhje me situatën epidemiologjike.
Gjithashtu, Zyra e kryeministrit të Kosovës ofroi mbështetje të plotë Komitetit që të vazhdojë me aktivitetet e tij, derisa do ta fuqizojë atë edhe përmes trupave këshillëdhënëse, kurse përmes programit qeverisës është paraparë edhe përkrahja me resurse humane e monitorimit të zbatimit të manualit për veprimtaritë e liruara në kuadër të hapjes ekonomike dhe ato që do të hapen.
Prioriteti ynë do jetë luftimi i pandemisë covid 19, dhe këtë do e bëjmë së bashku me ju të dashur qytetarë!
Bashkë ia dalim.