Ministri i Shëndetësisë Armend Zemaj ka qëndruar sot në pikën kufitare në Vërmicë ku ka parë nga afër punën e institucioneve dhe zyrtarëve në respektimin e udhëzimeve të Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik.
Zemaj ka kërkuar nga të gjithë zyrtarët në këtë pikë kufitare që të jenë korrekt dhe të respektohen të gjitha udhëzimet e IKSHPK-së.
“Të jemi korrekt të respektohen masat dhe për të tjerat do të përkujdesemi ne. Mbani maskat dhe distancën. Të ruajmë shëndetin bashkërisht dhe të mundësojmë lëvizjen e lirë ashtu siç na ka hije”, dëgjohej teksa Zemaj i drejtohet zyrtarëve në këtë pikë të kufirit Kosovë-Shqipëri.
Zemaj ka përcjellë nga afër gjithë procesin e qarkullimit në këtë anë, ku ka diskutuar nga afër edhe me zyrtarët policor kufitar dhe ata doganor në mënyrë që të jenë sa më të informuar lidhur me situatën e tanishme pas hapjes së kufirit dhe vendimit që personat që hyjnë në Kosovë të mos vetizolohen.
“Unë sot jam bashkërisht me të gjitha kapacitetet që i ka Republika e Kosovës që të shohim edhe në praktikë, se si po qëndron çështja e lëvizjes së lirë dhe njëherësh edhe ajo e ruajtjes së shëndetit të qytetarëve që hyjnë e dalin nga Kosova. Andaj ju lutem edhe juve dhe atyre që hyjnë në Kosovë të përçoni mesazhin e respektimit të masave të dhëna nga IKSHPK-së dhe MSH e Qeveria e Kosovës”,tha Zemaj.