Ministri i Shëndetësisë Armend Zemaj ka folur sot në ‘Euronews Albania’ për vdekjen e dyshimtë të pacientëve në Klinikën Infektive në mëngjesin e së dielës, si dhe për situatën epidemiologjike në Kosovë.
Zemaj ka deklaruar se pas hapjes së fazës së tretë në fillim të muajit qershor qytetarët nuk treguan disiplinë pas lirimit të masave dhe institucionet publike por edhe private nuk u treguan të vëmendshme ndaj kësaj situate.
Zemaj ka komentuar vdekjen e dyshimtë të pacientëve duke thënë se mjekët dhe infermierët kanë qenë në krye të detyrës, por sipas tij ky rast ka shfaqur mungesën e koordinimit ndërmjet klinikave në QKUK.
“Çdo rast që përfundon me vdekje është i rëndë për familjen dhe institucionet. Rastet e konfirmuara të vdekjeve treguan që ne duhet të kemi një lloj komunikimi, jo të mungesës së transparencës, por të koordinimit mes klinikave në QKUK dhe organeve tjera që janë kompetente për t’i shqyrtuar këtë proces. Ne kemi angazhuar të gjitha inspektoratet që t’i shqyrtojnë këto dyshime në momentin e parë kemi kuptuar se kanë ndodhur këto vdekje me fatalitet”, ka deklaruar Zemaj.
Ai ka thënë se MSH dhe inspektoratet janë vënë në lëvizje dhe organet tjera hetimore kanë vazhduar punën e tyre. “Raportet e para tregojnë se mjekët dhe infermierët kanë kryer punën me përgjegjësi, ndërsa për anën teknike duhet t’ua lëm profesionistëve dhe të mos krijojmë konfuzitet edhe pse fatkeqësisht është përdorur edhe për luftë politike por ne e kryejmë punën tonë dhe nuk na intereson”, ka thënë Zemaj.
Kujtojmë se Policia e Kosovës sot ka konfirmuar nisjen e hetimeve për vdekjen e dyshimtë të 6 pacientëve në QKUK. Dyshimet e para për këtë rast janë hedhur në sistemin qendror të oksigjenit. /Gazeta Shneta/