Ministri i Shëndetësisë Armend Zemaj ka vizituar sot Klinikën e Gjinekologjisë dhe Neonatologjisë në QKUK, nga ku ka premtuar se do të themelohet Instituti për Nënën dhe Fëmijën.
Zemaj ka thënë se ky Institut do të mundësojë avancimin e shërbimeve mjekësore për nënat, që të mos kenë nevojë më të shkojnë jashtë për trajtim, transmeton Gazeta Shneta.
Gjatë kësaj vizite Zemaj poashtu është zotuar se do të realizohet premtimi për 300 euro shtesë në paga për mjekët dhe infermierët deri në përfundimin e pandemisë.
Postimi i tij i plotë: Së shpejti do të themeloj “Institutin për Nënën dhe Fëmijën”.
Me qëllim të avancimit të shërbimeve shëndetësore, që motrat dhe nënat tona të marrin shërbime cilësore për nevojat e tyre, pa pasur nevojë të shkojnë për trajtime mjekësore jashtë vendit.
Si ministër në mënyrë të veçantë e përkrah krijimin e familjeve të reja.
Në mandatin tim i kam me prioritet të veçantë Klinikën Gjinekologjike dhe atë të Neonatologjisë në QKUK.
Andaj sot i shoqëruar nga dr. Valbon Krasniqi, ushtrues detyre i drejtorit të përgjithshëm të ShSKUK-së, vizitova këto dy klinika, ku për së afërmi u njoha me gjendjen dhe punën që po bëhet si dhe me kërkesat e stafit mjekësor.
Mjekëve iu shpreha mirënjohjen time dhe i falënderova pafundësisht për punën e tyre të palodhshme.
Qeveria e drejtuar nga kryeministri Avdullah Hoti e mbështetë vazhdimin e përkrahjes për personelin shëndetësor me nga 300 euro edhe për muajt sa do zgjas pandemia.
Mjekët, infermieret dhe stafi mjekësor në tërë Kosovën janë̈ heronjtë e sotëm.
Unë si ministër dhe si Ministri e Shëndetësisë në përgjithësi gjithnjë do qëndrojmë në krah të tyre, do t’u ofrojmë përkrahje dhe mbështetje të pa rezervë.
Ju faleminderit mantelbardhë!
Bashkë do të ja dalim!