Zyrtari i Prokurimit të Shërbimit Spitalor Klinik Universitar, Zenel Kuqi, ka kërcënuar në mënyrë direkte kryeredaktorin dhe gazetarin e Gazetës Shneta. Kërcënimi dhe ofendimet e rëndë të Kuqit kanë ardhur pas publikimit të një artikulli ku bëhet e ditur se ai është shpallur i pafajshëm nga Gjykata Themelore pas dy pikave të aktakuzës për dëmtim të buxhetit të shtetit afër 800 mijë euro.
Kuqi ka telefonuar gazetarin Vitija gjatë ditës së djeshme ku e ka kërcënuar me jetë për shkak të publikimit të artikullit. Rasti është raportuar edhe në Policinë e Kosovës ku është duke u hetuar.
Redaksia e Gazetës Shneta dënon ashpër këtë kërcënim të hapur dhe direkt ndaj fjalës së lirë dhe punës së gazetarit.
Për rastin ka reaguar ashpër edhe Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës të cilin mund ta lexoni më poshtë:
“Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës është informuar nga gazetari Bujar Vitija për kërcënimin që ka marrë nga zyrtari shtetëror, Zenel Kuqi. Rasti është raportuar në polici.
Gazetari Vitija ka thënë se të premten pasdite është kontaktuar nga Zenel Kuqi, zyrtar i Prokurimit në Shërbimin Spitalor Klinik Universitar (SHSKUK), dhe ka kërkuar që të takohet me të por gazetari ka refuzuar.
Vitija, kryeredaktor në portalin Gazeta Shneta, thotë se ai e kishte thirrur për shkak të një shkrimi të publikuar disa ditë më parë e që kishte të bënte me lirimin e Kuqit nga aktakuzat që e ngarkonin për dëmtim të buxhetit të shtetit.
Pas refuzimit për takim, Vitija është kërcënuar nga Kuqi i cili e ka sharë dhe ofenduar, dhe i ka sugjeruar që ta lajmërojë policinë. “Lajmëroje policinë e mos humb kohë sa të ka mbetur”, kishte thënë Kuqi.
Vitija e ka raportuar rastin në polici dhe ka dorëzuar si dëshmi audio incizimin e bisedës telefonike. Ai shtoi se Kuqi mund të ketë motive shtesë për kërcënime ndaj tij për shkak të një hulumtimi tjetër që ka nisur në lidhje me disa tenderë të fundit në SHSKUK dhe MSH. “Kërcënimi mund të jetë një përpjekje për të ndaluar shkrimet e radhës”, tha Vitija.
AGK dënon fuqimisht këtë kërcënim të zyrtarit shtetëror ndaj gazetarit Vitija dhe kërkon nga organet e sigurisë dhe drejtësisë që ta trajtojnë këtë rast brenda afateve ligjore.
Sulmet dhe kërcënimet ndaj gazetarëve janë sulme të drejtpërdrejta në lirinë e shprehjes dhe të drejtës së qytetarëve për informim. Çdo sulm ndaj gazetarëve është sulm në interesin publik, demokracinë dhe të drejtat e qytetarëve.”