Milionat e Fondit të Sigurimeve Shëndetësore, që fillimisht Qeveria deshi t’i transferojë për pagat e veteranëve të luftës, tash do t’iu ndryshohet destinimi sërish.
Kryetari i Komisionit për Financa në Kuvendin e Kosovës, deputeti i LDK-së Lumir Abdixhiku, ka njoftuar sot se ka nënshkruar një rekomandim për Ministrinë e Financave për 11 milionë eurot e Fondit të Sigurimeve, shkruan Gazeta Shneta.
Abdixhiku ka nënshkruar rekomandimin që 11 milionë euro të transferohen nga Fondi i Sigurimeve Shëndetësore, në Ministrinë e Shëndetësisë.
Këto para do të përdoren për blerjen e barnave nga lista esenciale dhe për shërimin e pacientëve jashtë vendit.
“I rekomandohet Ministrisë së Financave, që në pajtim me nenin 16, paragrafin 2 të Ligjit nr. 05/L-125 për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2017, të bëjë transferin e mjeteve buxhetore prej 11.000.000 euro, nga buxheti i Ministrisë së Financave, nga nën-programi “Kontigjenca e Sigurimeve Shëndetësore”, me kod 28200, kategoria e pagave dhe mëditjeve, në buxhetin e Ministrisë së Shëndetësisë, për blerjen e barnave të listës esenciale dhe për financimin e shpenzimeve për shërim jashtë vendit”, thuhet në rekomandimin e Komisionit.
Më poshtë e gjeni dokumentin e publikuar nga Abdixhiku si dhe statusin e tij. /Gazeta Shneta/