Jeta e Behare Shqiri – Sejdiut ndryshoi plotësisht 14 vite më parë, pasi që në jetë erdhi Sumea, vajza e saj.
Planet për karrierë dhe tërësisht jeta e saj ndryshoi tre muaj pasi u bë nënë dhe mori rezultatin e analizës – përmes së Sumea u diagnostifikua me Sindrom Down.
Ajo rrëfen se fillimisht nuk ishte e informuar se çka po ndodh me fëmijën e saj të sapo lindur, analiza e kontrolla të shumta e bënin atë të dyshonte që diçka nuk ishte në rregull por askush nga personeli nuk i kishte dhënë asnjë informacion rreth gjendjes shëndetësore të Sumeas.
Nëna e Sumeas rrëfen se në fillim është mërzitur shumë por që tani as nuk e kujton atë periudhë.
“Ndonjëherë kur të ndalem me mendu them me vetën i kam harru ato gjëra, në fillim jam mërzitë shumë nuk e disha çka po ndodhe. E marrshin Sumean, më thojshin nuk është mirë diçka duhet me i bo analiza, e vërejta që diçka nuk është në rregull, kur erdhën ditën e dytë mjekët në vizitë ju thash a mundeni me më tregu çka është t’u ndodh, edhe mjekja më ka thënë nuk është në rregull diçka me msim, tha në të ardhën me mësu nuk mundet – kjo ka qenë shumë e rëndë, mendova që ka probleme psiqike. Asnjë mjek nuk më ka dhënë asnjë informacion”, rrëfen ajo për Gazetën Shneta.

Foto:Gazeta Shneta
Për të pasur një jetë më të mirë dhe mundësi për të dërguar në shoqata për fëmijët me Sindrom Down, prindërit e Sumeas kanë ndërruar edhe vendbanim. 10 vite më parë nga Komuna e Vitisë kanë shkuar në atë të Ferizajt, pasi që nëna e Sumeas thotë se Ferizaj ka mundësi më të mëdha për këtë kategori.
Ajo thotë se pranimi në shoqëri për këtë kategori para disa viteve ka qenë i mangët por tani njerëzit kanë filluar të kuptojnë. Shaqiri – Sejdiu thotë se shpesh ka hasur edhe në paragjykime të ndryshme nga njerëzit por që ‘i mirëkupton’ pasi që sipas saj, ata nuk e kuptojnë çka do të thotë të kesh një fëmijë me Sindorm Down dhe sa shumë dashuri të ofrojnë këta fëmijë.
Semea aktualisht është në klasën e gjashtë në shkollën “Tefik Çanka” në Ferizajt. Shaqiri – Sejdiu, thotë se shokët dhe shoqet e kanë pritur shumë mirë Sumean në klas por ajo shprehet e kënaqur edhe me menaxhmentin në këtë shkollë “Sumea është e vetmja në klas, e mirëkuptojnë shumë të gjithë”.
Sa i pëketë plan – programit mësimor nëna e Sumeas sqaron se deri më tani në gjuhën shqipe dhe në matematik ka qenë plan – program i cili është përgatitur nga vet mësimdhënësit e Sumeas ndërsa tani janë në përgatitje edhe për lëndet tjera mësimore.
“Plan – programin e ka pas në gjuhë shqipe dhe matematik tash kam kërku me pas edhe në lëndë tjera. Sumea është e aftë me mësu edhe gjëra të tjera. Jam shumë e kënaqur me shkollën”, rrëfen tutje ajo.

Foto:Gazeta Shneta
Shkolla ka edhe psikolog, Shaqiri – Sejdiu sqaron se çdoherë kur vajza e saj ka nevojë për psikolog shkon dhe konsultohet me të.
Nëna e Sumeas mangësi të madhe e quan mungesën e asistentëve në shkollë, ajo thotë se gjatë këtij viti shkollorë vajza e saj nuk ka asistentë, dhe një gjë e tillë ndikon drejtpërdrejtë në mësim – nxënje.
“Mungesa e asistentëve është problemi më i madh. Sumea këtë vit nuk ka asistentë. Kanë qenë disa vullnetare si asistente mirëpo nuk ka asistent të angazhuar nga komuna. Asistenti i ndihmon shumë, vërehet dallimi menjeherë”- bënë të ditur ajo.
Përveç mësimeve në shkollë Sumea me shumë dëshir mëson edhe poezi të cilat i reciton në shumë programe të organizuara nga shkolla apo nga Komuna e Ferizajt.
Shaqiri- Sejdiu dëshiron që vajza e saj të avansohet më tepër sa i përketë recitimit të poezive por që thotë se askush nuk ka arritur të orientojë diku.
“Sumea shumë ka dëshir me recitu edhe reciton më shumë kënaqësi. Sumea ka qenë çdo herë prezentë në programet e organizuara. Kam dëshir shumë që të avansohet në këtë drejtim. Nuk po di as ku të orientohem që Sumea me marrë pjesë në shumë organizime edhe në të njejtën kohë më dërgu mesazh që edhe këta munden edhe këta fëmijë kanë potencial”- tregon ajo.
Shaqiri -Sejdiu është pjesë e Shoqatës “Sindrom Down Kosova” me seli në Ferizaj ajo tash e tre vite është e punësuar në këtë shoqatë.
Në këtë shoqatë janë të anëtarësuar 50 persona me Sindrom Down, ndërsa në katër qendrat e shoqatës janë rreth 300 personat me Sindrom Down.
Muaji tetor është muaji për ndërgjegjësimin e Sindromës Down. /Gazeta Shneta/
‘Unë i verbëri – në shtetin që nuk më ofron asnjë mundësi jetese’




