Që nga 24 prilli i këtij viti është hapur këshillimorja për pacientët me diabet, hipertension dhe astmë në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Prishtinë.
Infermierja Kaltrinë Zeka tregon se që nga ajo datë janë këshilluar 150 pacientë që vuajnë nga sëmundjet kronike jo ngjitëse, shkruan Gazeta Shneta.
“Këshillimorja është hapur më 24 prill 2025. Prej asaj date kemi pasur 150 vizita”, u shpreh Zeka.
Sipas saj, pacientët fillimisht bëjnë vizitat paraprake tek mjekët dhe më pas, në rast nevoje, referohen në këshillimore.
“Referohen pacientët nga mjekët. Fillimisht bëjnë vizitat paraprake tek mjekët, pastaj në rast nevoje referohen këtu”, tha Zeka.
Zeka shprehet se qëllimi kryesor i këshillimores është ndërgjegjësimi dhe edukimi i pacientëve me këto sëmundje.
“Të edukojmë dhe ndërgjegjësojmë pacientët për ndryshimin e stilit të jetës me qëllim të menaxhimit sa më të mirë të sëmundjeve kronike jo ngjitëse si diabeti, hipertensioni dhe astma”, tha ajo.
Tutje, ajo thotë se prioritet mbetet vetëmenaxhimi i këtyre sëmundjeve nga ana e pacientëve.
“Këshillimorja synon gjithashtu të zvogëlojë numrin e vizitave në Qendrat e Mjekësisë Familjare dhe të përmirësojë vetëmenaxhimin e pacientëve”, u shpreh Zeka./Gazeta Shneta/
Për mënyrën se si zhvillohet një seancë këshilluese ndiqni videon më poshtë:




