Spitali i Përgjithshëm “Dr. Sami Haxhibeqiri” në Mitrovicë ka rritur kapacitetet profesionale përmes angazhimit të stafit të ri shëndetësor, në funksion të përmirësimit të shërbimeve ndaj pacientëve.
Së fundmi, këtij institucioni i janë bashkuar 8 mjekë specialistë të profileve të ndryshme, përfshirë 3 specialistë pediatër, 1 specialiste të dermatologjisë, 1 specialist të radiologjisë, 2 specialistë të gjinekologjisë dhe 1 specialist oftalmolog.
Po ashtu, stafi është përforcuar edhe me 9 infermierë, nga të cilët 6 infermierë të përgjithshëm dhe 3 mami.
Për herë të parë, pjesë e ekipit të spitalit është bërë edhe një logopede, duke zgjeruar gamën e shërbimeve profesionale për pacientët.
Nga spitali bëhet e ditur se edhe gjatë vitit 2026 do të vazhdojë procesi i pranimit të mjekëve dhe infermierëve të tjerë, me synim rritjen e kapaciteteve dhe ofrimin e shërbimeve shëndetësore sa më cilësore për qytetarët./Gazeta Shneta/




