Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës, ka bërë të ditur se gjatë periudhës 16 prill – 19 maj janë konfirmuar gjithsej 17 raste me fruth në Kosovë, ndërsa shumica e të prekurve janë fëmijë të pavaksinuar.
Sipas IKSHPK-së, numri më i madh i rasteve është regjistruar në Ferizaj me gjashtë raste, pasuar nga Prishtina me katër raste dhe Kaçanik me tre raste, shkruan Gazeta Shneta.
Në një përgjigjje për Gazetën Shneta, nga IKSHPK kanë thënë se nga një rast është raportuar edhe në Lipjan, Fushë Kosovë, Gjilan dhe Shtime.
“Janë pjesa dërrmuese fëmijë të moshës 12–36 muaj, të pavaksinuar. Me përjashtim të një rasti që është 42 vjeç”, thuhet në përgjigjen e IKSHPK-së.
Instituti paralajmëron se ekziston rreziku i përhapjes së mëtejme të virusit, sidomos në mesin e fëmijëve që nuk janë vaksinuar.
“Ekziston rreziku i përhapjes në mesin e fëmijëve të pa vaksinuar, në veçanti atyre që shkojnë në kopshte dhe në shkolla”, thuhet më tej nga IKSHPK.
Sipas institutit, ditëve të fundit është rritur interesimi për vaksinim pas paraqitjes së rasteve të fundit me fruth.
“Ditëve të fundit është rritur interesimi, pas shfaqjes së rasteve të fundit të fruthit. Në Kosovë vitin që shkoi shkalla e mbulueshmërisë me vaksinën MMR ka qenë 82%, ndërsa që të arrihet imuniteti i tufës duhet të arrihet përqindja e mbulueshmërisë në 95% apo më shumë”, thekson IKSHPK.
Tutje, institucioni bën të ditur se po zhvillon aktivitete së bashku me partnerë dhe institucione të tjera për të rritur nivelin e vaksinimit në vend.
“IKSHPK po ndërmerr aktivitete të shumta me institucionet e tjera dhe partnerët që ta arrij këtë objektiv me qëllim që fruthi të mos paraqesë një kërcënim për shëndetin publik të popullatës, sidomos fëmijëve”, thuhet në deklaratë./Gazeta Shneta/




