Numri i rasteve aktive me COVID-19 tash e disa ditë ka filluar të bie, e sipas të dhënave nga Ministria e Shëndetësisë ky numër ka rënë në 644.
Gjithsesi vaksinimi kundër COVID-19 vazhdon të jetë një prioritet për Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës.
Që nga fillimi i procedures së vaksinimit, në vend janë vaksinuar një milion e 818 mijë e 721 persona.
Sipas të dhënave të fundit nga MSh, prej tyre vetëm 98 mijë e 881 janë vaksinuar me dozën e tretë apo përforcuese.
Gjithsesi, edhe gjatë kësaj jave vaksinimi ka vazhduar me rregull dhe sipas raporteve ditore nga IKShPK, që nga dita e diel e deri sot, janë administruar 1172 vaksina.
Gjatë kësaj jave gjithsej nga 5090 testime të kryera në institut, vetëm 188 persona kanë rezultuar pozitivë me COVID-19 .
Ndonëse numri i të infektuarve dhe hospitalizuarve ka filluar të bie, thirrjet që të mbrohemi nga virusi dhe të vaksinohemi vazhdojnë të jenë “ftesë e pandalshme” nga institucionet përkatëse./Gazeta Shneta/




