Pacientët e rajonit të Podujevës që kanë pasur nevojë për hemodializë, nga dita e djeshme kanë filluar ta marrin këtë shërbim në Poliklinikën e Podujevës.
Sipas njoftimit të SHSKUK-së që nga dita e djeshme, pacientët e rajonit të Podujevës kanë filluar të marrin shërbimet e hemodializës në Poliklinikën e Podujevës, nën menaxhimin e ShSKUK, transmeton Gazeta Shneta.
Specialisti i nefrologjisë, Dr. Saud Imeri, tha se shërbimi është funksional dhe se pacientët që deri më tani udhëtonin drejt Prishtinës për trajtim, tashmë do të trajtohen në qytetin e tyre.
“Sot kemi gjithsej 34 pacientë që kryejnë hemodializën këtu. Në kuadër të qendrës kemi një staf profesionist prej një mjeku nefrolog dhe shtatë infermierësh. Pajisjet janë moderne, kemi laborator dhe rentgen funksional, dhe shpresojmë që programi të zhvillohet sipas planit,” tha Dr. Imeri. /Gazeta Shneta/




