Në kuadër të Ditës Botërore të AIDS 2025, u mbajt sot në Prishtinë një tryezë e veçantë diskutimi që kishte për qëllim krijimin e një platforme serioze për shqyrtimin e të dhënave më të fundit mbi HIV/AIDS në Kosovë, identifikimin e barrierave, sfidat e financimit dhe ndikimin e gjendjes ekonomike në përgjigjen shëndetësore.
Pjesëmarrës në këtë tryezë ishin përfaqësues institucionalë, profesionistë të shëndetësisë, organizata të shoqërisë civile dhe partnerë ndërkombëtarë, raporton Gazeta Shneta.
Dr. Merita Vuthaj, përfaqësuese e Ministrisë së Shëndetësisë, theksoi rëndësinë e adresimit të HIV/AIDS si një sfidë globale.
“Përballja me HIV/AIDS është një sfidë globale, jo vetëm në vendin tonë, por edhe për shtetet tjera në mbarë botën. Në këtë ditë dua të ritheksoj përkushtimin e Ministrisë së Shëndetësisë për përmirësimin e sistemit shëndetësor.” theksoi Dr. Vuthaj.
Ajo përmendi tre prioritetet kryesore mbi të cilat do të fokusohet ministria:
Përdorimi i informacionit dhe edukimi për të parandaluar transmetimin e HIV/AIDS.
Përmirësimi i shërbimeve shëndetësore, diagnostikimi i hershëm dhe trajtimi efektiv.
Luftimi i stigmatizimit dhe diskriminimit, që vazhdojnë të jenë barriera serioze për personat e prekur.
Drejtoresha e IKSHPK-së, Ardita Baraku theksoi se viti 2025 ka qenë kritik sa i përket përgjigjes ndaj HIV/AIDS, si në Kosovë, ashtu edhe globalisht, për shkak të kufizimit të fondeve që kanë rrezikuar arritjet e deritanishme.
Ajo paralajmëroi se kufizimi i financimit mund të largojë vendin nga objektivat e planifikuara deri në vitin 2030.
“Shumë njerëz po përballen me rreziqe më të larta dhe cenueshmëri të të drejtave të tyre për shëndet. Prandaj nevojitet prioritarizimi dhe integrimi i shërbimeve shëndetësore për ta mbrojtur këtë kategori.” tha Baraku.
Pjesëmarrësit u pajtuan se vetëm përmes bashkëpunimit ndërinstitucional, rritjes së investimeve, informimit publik dhe eliminimit të paragjykimeve mund të arrihet një përgjigje e fuqishme dhe e drejtë ndaj HIV/AIDS në Kosovë./Gazeta Shneta/




