Oda e Mjekëve të Kosovës ka bërë të ditur se gjatë këtij viti 58 mjekë janë pajisur me certifikatën mbi të kaluarën etike dhe profesionale, dokument i cili shërben si bazë për punësim jashtë vendit.
‘Gjatë vitit 2025 janë 58 mjekë që janë pajisur me certifikatën mbi të kaluarën etike dhe Profesionale’’, thuhet në përgjigjen e Odës për Front Online.
Ky indikator, sipas Odës, është një prej matësve më të qartë të largimit të mjekëve nga Kosova.
Për të kuptuar më mirë arsyet e këtij fenomeni, Oda ka shpërndarë një pyetësor anonim për mjekët që kanë tërhequr certifikatën, ku ishin të paracaktuara katër arsye kryesore, me mundësi për komente shtesë.
Nga analiza e përgjigjeve të mjekëve, kanë rezultuar këto arsye kryesore të tërheqjes së certifikatës: Mungesa e punësimit ,e përmendur nga -58% e mjekëve ,Shkollimi specialistik jo kualitativ – 45%Kushtet e papërshtatshme të punës – 41%Paga e ulët – 37% , Ndërkaq, 6% e mjekëve kanë deklaruar se po e tërheqin certifikatën për arsye personale, pa specifikuar ndonjë nga arsyet e mësipërme
‘’Oda e Mjekëve të Kosovës ka përpiluar një pyetësor që u është shpërndarë anëtarëve të cilët kanë tërhequr certifikatën mbi të kaluarën etike dhe profesionale. Pyetësori është plotësuar në mënyrë anonime dhe ka përfshirë katër arsye të paracaktuara, me mundësi për të shtuar komente apo arsye të tjera shtesë. Anëtarët kanë pasur mundësinë të zgjedhin një ose më shumë prej tyre.
Sipas analizës së përgjigjeve të pranuara nga mjekët, si arsyet kryesore të tërheqjes së certifikatës kanë zgjedhur:
Mungesa e punësimit – 58% mjekëve
Shkollimi specialistik jo kualitativ – 45% mjekëve
Kushtet e papërshtatshme të punës – 41% mjekëve
Paga e ulët – 37% mjekëve
Gjithashtu, 6% e mjekëve nuk kanë zgjedhur asnjërën nga arsyet e mësipërme, por kanë deklaruar se po e marrin certifikatën për arsye personale’’, deklaruan nga Oda e Mjekëve.
Kryesidikalistja e Shëndetësisë: Mjekët punojnë në kushte të rënda, pagat e ulëta po i shtyjnë drejt migrimit
Kryetarja e Federatës Sindikale të Shëndetësisë së Kosovës (FSSHK), Tevide Imeri, në një prononcim për FrontOnline ka folur për gjendjen e mjekëve në vend, duke thënë se ata po punojnë në kushte të rënda e me mungesë resursesh, ndërkohë që pagat mbeten shumë të ulëta krahasuar me përgjegjësitë që mbajnë çdo ditë.
‘’Gjendja e mjekëve në vendin tonë është e rënduar dhe mjaft shqetësuese. Mjekët tanë punojnë në kushte jashtëzakonisht të vështira ,me mungesë të resurseve njerëzore dhe materiale ,me ngarkesa të mëdha orare dhe me paga që nuk janë aspak në përputhje me përgjegjësitë dhe sakrificat që bartin çdo ditë’’, tha Imeri për FrontOnline.
Ajo thotë se si pasojë e kësaj situate, fenomeni i migrimit të mjekëve po merr përmasa shqetësuese, duke paraqitur rrezik serioz për të ardhmen e sistemit shëndetësor.
‘’Kjo gjendje, për fat të keq, ka ndikuar edhe në motivimin e tyre duke shtuar fenomenin e migrimit të mjekëve drejt vendeve tjera kjo situatë paraqet një rrezik serioz për sistemin shëndetësor të Kosovës’’, u shpreh Imeri.
Megjithatë, Imeri theksoi se mjekët vazhdojnë të tregojnë profesionalizëm dhe humanizëm të lartë, duke mbajtur gjallë shërbimin shëndetësor publik.
Ajo kërkoi nga institucionet masa urgjente për: përmirësimin e kushteve të punës, rritjen e pagave, krijimin e politikave që garantojnë dinjitet dhe siguri për mjekët.
‘’Megjithatë, pavarësisht sfidave mjekët tanë tregojnë profesionalizëm dhe humanizëm të lartë, duke mbajtur gjallë shërbimin shëndetësor publik. Federata Sindikale e Shëndetësisë kërkon nga institucionet përgjegjëse që urgjentisht të ndërmarrin masa konkrete për përmirësimin e kushteve të punës, rritjen e pagave dhe krijimin e politikave që sigurojnë dinjitet dhe siguri në profesionin mjekësor. Vetëm në këtë mënyrë mund të garantojmë një shëndetësi funksionale dhe në shërbim të qytetarëve’’, përfundoi Imeri.




