Një intervenim kompleks kirurgjik është realizuar me sukses në Spitalin e Përgjithshëm “Dr. Sami Haxhibeqiri” në Mitrovicë.
Operacioni u krye te pacienti R.D. (i lindur më 1957, nga Mitrovica), i cili vuante nga një masë tumorale me përmasa të konsiderueshme.
Në njoftim thuhet se ndërhyrja u realizua nga mjekët e Repartit të Kirurgjisë, në bashkëpunim me ekipin e Anesteziologjisë.
Pacienti u diagnostikua me Liposarcoma permagna regio thoraco-abdominalis (pars lumbalis) l.sin (Tumor malinj i indit dhjamor me përmasa shumë të mëdha në regjionin e gjoksit dhe barkut, konkretisht në pjesën e mesit, në anën e majtë). Tumori kishte një shtrirje mjaft invazive, nga këndi i poshtëm i sqetullës së majtë (axilla), deri te pjesa e sipërme e kockës së legenit në anën e majtë (crista iliaca anterior superior).
“Ky operacion sfidues u krye me profesionalizëm nga ekipi i mjekëve: Specialistët e kirurgjisë: Dr. Ilir Hajzeri, Dr. Muhamet Musa dhe Dr. Albert Miftari. Anesteziologët: Dr. Fatmir Ujkani dhe Dr. Arbër Bardhaj. Instrumentaret: Medina Pllana dhe Fidane Brahimi Sejdiu, si dhe tekniku i anesteziologjisë Petrit Boja”, thuhet në njoftim.
“Pas përfundimit me sukses të procedurës, monitorimit dhe kujdesit për disa ditë, pacienti është lëshuar në shtëpi në gjendje të mirë shëndetësore”, thuhet në njoftim.




