Shoqata e të Drejtave të Pacientëve në Kosovë (PRAK) ka reaguar duke shprehur shqetësim pas raportimeve nga Gjilani, ku një individ dyshohet se ka ofruar trajtime jo të provuara për autizmin, duke përdorur edhe substanca të destinuara për kafshë si terapi për fëmijët.
Përmes një reagimi, PRAK thotë se ky incident nuk duhet trajtuar vetëm si përgjegjësi individuale, por si një fenomen alarmant që nxjerr në pah mungesën e shërbimeve adekuate dhe mbikëqyrjes institucionale për fëmijët me çrregullime të zhvillimit.
“Ky rast nuk duhet trajtuar vetëm si një incident i izoluar apo si përgjegjësi individuale penale, por si një fenomen alarmant që nxjerr në pah dështime serioze sistemike në mbrojtjen e pacientëve, veçanërisht të fëmijëve dhe familjeve në situata të ndjeshme emocionale dhe sociale.” thuhet në reagim e PRAK.
PRAK e konsideron rastin si një fenomen alarmant që nxjerr në pah mungesat në sistemin e mbrojtjes së pacientëve, veçanërisht të fëmijëve dhe familjeve të prekur. Shoqata thekson se mungesa e shërbimeve adekuate, mbikëqyrjes institucionale dhe informimit publik krijon terren për dezinformim dhe mashtrime.
“Autizmi nuk shërohet, por kërkon trajtim profesional dhe mbështetje afatgjate për fëmijët dhe familjet e tyre,” thonë nga PRAK.
PRAK mirëpret reagimin e Ministrisë së Shëndetësisë dhe Policisë së Kosovës, por paralajmëron se hetimet pas incidentit nuk mjaftojnë.
PRAK kërkon veprime të shpejta dhe transparente, forcim të inspektimit shëndetësor, zgjerim të shërbimeve për fëmijët me autizëm dhe fushata edukative për të luftuar dezinformimin.
Në fund, PRAK rithekson se mbrojtja e shëndetit të fëmijëve duhet të jetë prioritet real dhe se çdo individ që rrezikon fëmijët përmes “trajtimeve alternative” duhet të mbajë përgjegjësi ligjore./Gazeta Shneta/




