Gjykata Themelore në Ferizaj ia caktoi masën e paraburgimit prej 30 ditësh personit me inicialet D. K. që dje sulmoi foshnjat e tij 40 ditëshe me thikë.
Lajmin për caktimin e paraburgimit e konfirmoi për KALLXO.com zëdhënësja e kësaj gjykate Albenora Bekteshi.
D.K., doli sot para gjykatës pasi dje u arrestua nga policia nën dyshimin se theri foshnjat e tij binjake, njëra nga të cilat vdiq në shtëpinë e shëndetit në Shtërpcë, ndërsa tjetra u transferua për kurim në Spitalin e Nishit.
Masën e paraburgimit për personin me inicialet D. K., e kërkoi sot Prokuroria Themelore në Ferizaj.
Kërkesën e prokurorisë për paraburgim e kundërshtoi në gjykatë Jakup Ramadani, avokati i të dyshuarit D. K.
Përmes telefonit, Ramadani tha se i mbrojturi i tij nuk ishte në gjendje të kontrollonte veprimet tij në çastin e sulmit.
“Ai në momentin kur ka ndodhur ky rast ka qenë në gjendje të goditjes së rëndë mendore”, tha Ramadani.