Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKShPK) ka njoftuar se nga 16 prilli deri më 22 qershor 2026 janë konfirmuar gjithsej 40 raste me fruth në vend.
Sipas të dhënave të publikuara, komuna e Ferizajt kryeson me 11 raste të regjistruara, e ndjekur nga Prishtina me 9 raste dhe Kaçaniku me 6 raste. Ndërkaq, Fushë-Kosova ka raportuar 3 raste, ndërsa Lipjani, Vushtrria, Shtimja dhe Obiliqi nga 2 raste secila. Me nga një rast janë evidentuar komunat e Gjilanit, Drenasit dhe Deçanit.
IKShPK ka apeluar tek qytetarët që në rast të paraqitjes së simptomave të dyshimta, si temperaturë e lartë, skuqje në lëkurë, kollë, rrufë apo konjuktivit, të kërkojnë menjëherë ndihmë mjekësore në institucionet më të afërta shëndetësore.
Instituti ka theksuar se fruthi mbetet një sëmundje shumë ngjitëse, e cila mund të përhapet shpejt në komunitet dhe të shkaktojë komplikime serioze, veçanërisht tek fëmijët dhe personat me imunitet të dobësuar.
Për këtë arsye, IKShPK u ka bërë thirrje prindërve dhe kujdestarëve që të kontrollojnë statusin e vaksinimit të fëmijëve dhe të sigurohen që imunizimi të kryhet sipas Kalendarit të rregullt të vaksinimit në qendrat e mjekësisë familjare./Gazeta Shneta/


