Drejtori i Transfuzionit të Gjakut, Hysen Sadriu, në Ditën Ndërkombëtare të Dhurimit të Gjakut, ka bërë thirrje që të dhurohet sa më shumë gjak, dhe njëherësh i konsideroi dhuruesit vullnetarë të gjakut si pasuri kombëtare, njofton Klan Kosova.
Ai tha se në këtë ditë, manifestimi kryesor është dhurimi i gjakut si dhe sensibilizimi i popullatës që të hynë në karvanin e dhuruesve të gjakut në mënyrë që të ketë gjak sa më shumë.
“Sot kemi vënë tendat në sheshin Zahir Pajaziti”, tha Sadriu në Kosova Direkt të Klan Kosovës. Pavarësisht motit të sotëm, ai tha se njerëzit kanë pasur dëshirë t’iu ndihmojnë të tjerëve dhe kanë shkuar që të dhurojnë gjak.
Sadriu tha se janë në sezonin që konsiderohet të jetë mungesë sezonale e gjakut, dhe ku ka mungesë të gjakut kudo në botë. Ai iu falënderua njerëzve të mirë që kanë vullnet që t’iu ndihmojnë të tjerëve, dhe se deri tash ia kanë arritur qëllimit. Tutje, ai shtoi se telashe akoma nuk kanë pasur që ta pësojnë pacientët, por telashe me grupet negative të gjakut mund të ketë.
Sadriu ka bërë të ditur se viteve të fundit po dhurohet më shumë gjak, dhe se dikur ka pasur më shumë dhurues familjarë se sa vullnetarë, porse kohëve të fundit, falë rinisë dhe njerëzve që e kanë parë të arsyeshme që të dhurojnë gjak, ka shumë më shumë dhurues vullnetarë.
“Mbi 85% i kemi dhurues vullnetarë”, tha Sadriu, duke treguar se 15% tjetër janë dhurues familjarë.
Ai tha se strategji e tyre dhe e çdo shteti është që të kenë mjaftueshëm gjak dhe që t’i plotësojnë nevojat e tyre. Për më tepër, ai shtoi se dhuruesit vullnetarë të gjakut duhet t’i konsiderojnë si pasuri kombëtare, ndërkaq bëri thirrje që të dhurohet gjak dhe të shpëtohen jetë. Sadriu bëri të ditur se ata do të vazhdojnë me tendë deri më datën 17 qershor.
Për nesër, ai tha se ata do të jenë në Pejë, përkatësisht në sheshin e këtij qyteti, dhe pastaj tregoi se do të shkojnë edhe në komunat tjera të mëdha si Prizreni e Ferizaj.
“Java e dhurimit të gjakut në Kosovë ka filluar nga data 13 deri më 18”, përfundoi Sadriu.