Drejtori i Departamentit të Thesarit në ministrinë e Financave, Fatmir Plakiqi, ka lënë këtë pozitë për të shkuar në një ministri tjetër.
Plakiqi është emëruar u.d. i drejtorit të Fondit të Sigurimeve Shëndetësore nga ministri i shëndetësisë, Uran Ismaili.
Këtë e ka bërë të ditur vet Ismaili nëpërmjet një postimi në facebook. Ismaili ka veç fjalë miradije për Plakiqin.
“Zotëri Plakiqi vjen në këtë pozitë pas një përvoje shumë të madhe dhe të pasur institucionale. Ai ka zhvilluar dhe ka transformuar disa prej institucioneve më të rëndësishme të vendit, nga pika fillestare në institucione të fuqishme, kredibile dhe shumë të suksesshme”, ka shkruar ministri.
Plakiqi ka qenë drejtor i Thesarit, ka punuar si drejtor për Buxhet dhe Financa në Policinë e Kosovës si dhe drejtor i administratës në AKI.
Emërimi i Plakiqit në Fond, sipas ministrit, është një nga kuadrot profesionale për realizimin e Sigurimeve Shëndetësore.
“Sigurimet Shëndetësore tashmë i kemi shndërruar në prioritet kombëtar, në mënyrë që të zbusim varfërinë e qytetarëve tanë, për realizimin e të cilave po angazhojmë kuadrot më profesionale që ky proces të përfundojë në afatin e duhur”, ka shkruar Ismaili.
Deri më tani u.d. i drejtorit të Fondit ka qenë Sejdë Tolaj. /Gazeta Shneta/