Kur Ramush Haradinaj ia dyfishoi rrogën vetes, duket se nuk e mendoi se kjo do të shkaktonte pakënaqësi tek shërbyesit civil e sidomos tek punëtorët shëndetësorë.
Këta të fundit si duket morën shembull nga kryeministri. Federata e Sindikatave të Shëndetësisë nga 15 tani po kërkon 30 për qind rritje të pagave, shkruan Gazeta Shneta.
Ky vendim është marr në një mbledhje të mbajtur sot të Këshillit Drejtues të FSSHK-së.
“Federata e Sindikatave të Shëndetësisë së Kosovës kërkon nga Kryeministri i Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Kryetarit të Parlamentit realizimin e kërkesave të premtuara, në të cilën parashihet rritja e pagave prej 30%, rrezikshmëria në vendin e punës , përmirësimin e kushteve të punës”, thuhet në njoftim.
FSSHK thotë se Ligji i pagave është jetik për punëtorët shëndetësor dhe prandaj kërkohet që të trajtohet në mënyrë serioze.
Në të kundërt ata kanë paralajmëruar qeverinë për radikalizim të veprimeve të tyre.
“FSSHK pret nga Qeveria e Republikës së Kosovës që përmes dialogut social të gjej zgjidhje adekuate për kërkesat e lartpërmendura, në të kundërtën nëse nuk kemi reflektim nga ana e instancave shtetërore neve na duhet të ndërmarrim masa radikale sindikaliste duke mos përjashtuar edhe mosbindje institucionale”, është thënë në njoftimin e Federatës.
Pakënaqësitë e mjekëve lidhur me rrogat u shtuan pas vendimit të Haradinajt për dyfishimin e pagës së tij si dhe rritjes për zyrtarët tjerë të qeverisë.
Poashtu sindikalistët janë shprehur të zhgënjyer me mos respektimin e memorandumit me Haradinajn dhe Kadri Veselin gjatë fushatës para zgjedhjeve të 11 qershorit.
Në këtë memorandum parashihet edhe rritja e pagave për sektorin e shëndetësisë. Haradinaj gjatë një vizite në QKUK ka deklaruar se pagat do të rriten për 5 për qind nga viti i ardhshëm. /Gazeta Shneta/