Drejtorët e drejtorive të Shëndetësisë në komunat Pejë, Istog, Klinë, Deçan dhe Junik, si dhe drejtori i Spitalit të Përgjithshëm në Pejë, para disa ditësh kanë kërkuar që ky spital të pajiset me një magnet rezonancë.
Por kjo kërkesë e tyre nuk do të realizohet, të paktën nga Shërbimi Spitalor Klinik Universitar i Kosovës.
Drejtori i Shërbimit Klinik të Mjekësisë Nukleare në QKUK, Fakiri Spahiu, ka thënë për gazetën “Zëri” se 950.000 euro janë ndarë për pajisje mjekësore për spitalet regjionale.
“Buxheti i SHSKUK-së për pajisje mjekësore këtë vit është 2.5 milionë euro për QKUK-në dhe 950.000 euro për spitalet regjionale të cilat janë në kuadër të SHSKUK-së. Këto mjete janë duke u shfrytëzuar për blerjen e pajisjeve të reja dhe për funksionalizimin e atyre pajisjeve të cilat mund të rregullohen për shkak të ndonjë defekti”, ka thënë ai.
Drejtorë të spitaleve të përgjithshme në Kosovë kanë treguar për gazetën “Zëri” se ndonëse i mungojnë disa aparatura, edhe ato pajisje mjekësore që i posedojnë janë të vjetruara dhe të amortizuara.