Hoxha Halil Kastrati, i njohur më shumë si humanist me shoqatën e tij “Jetimët e Ballkanit”, tani po kërkon ndihmë për të birin e tij i cili është i sëmurë. Megjithatë, ndihmën e vetme që ka kërkuar ai nga të tjerët, janë lutjet tek Zoti për ta shëruar djalin Uvejsin.
Kastrati ka treguar se djali po përballet me një infeksion në venat e trurit çka ka shkaktuar edhe humbjen e shikimit. Ai ka folur dje për Insajderin ku ka thënë se po pritet t’i jepet një terapi e rëndë dhe më pastaj të shihen rezultatet brenda 2-3 ditëve.
Hoxha ka thënë se diagnoza e saktë është dhënë në një spital në Beograd, ndërsa nuk kanë mundur të gjejnë trajtim paraprakisht në Turqi, Shkup e Shqipëri.
Shoqata “Jetimët e Ballkanit” është një prej shoqatave më aktive në Kosovë që ndihmon familjet në nevojë. Deri tani kjo shoqatë ka ndërtuar apo siguruar mbi 150 shtëpi e banesa për familjet në nevojë, si dhe ka ndihmuar shumë familje me ushqime dhe veshmbathje, apo familje që kanë pasur nevojë për mbështetje financiare për trajtime të caktuara mjekësore. /Gazeta Shneta/