Ish-ministri i Shëndetësisë dhe ish-zëvendëskryeministri, Bujar Bukoshi, ka përfituar ndihma nga shtetit në vlerë 120 mijë euro për shërim brenda 2 vitesh. Kjo shumë parash për Bukoshin vjen në kohën kur shumë pacientë kosovarë kërkojnë ndihmë nga qytetarët për shërim jashtë vendit
Qeveria e Kosovës në mbledhjen e mbajtur gjatë ditës së sotme ka marr vendim për ndarjen e 30 mijë eurove për Bujar Bukoshin.
Kjo nuk është hera e parë që Qeveria e ndihmon Bukoshin me para për shërimin e tij. Po kaq para, 30 mijë euro, ia ka ndarë edhe në dhjetor të vitit të kaluar për shërim në një spital në Gjermani, shkruan Gazeta Shneta.
Bukoshi poashtu ka përfituar dy herë nga 30 mijë euro edhe nga Ministria e Shëndetësisë përmes programit për Trajtim Mjekësor Jashtë Institucioneve Shëndetësore Publike. Herën e parë MSH ia ka ndarë 30 mijë euro në nëntor të vitit 2016, ndërsa 30 mijë të tjera në gusht të vitit 2017. MSH pati konfirmuar për Gazeta Shneta se pagesat janë bërë në llogari të klinikës urologjike “Urologie Maximilianstrasse” në Gjermani, institucion ky ku është duke u trajtuar Bukoshi.
Bukoshi e ka udhëhequr Ministrinë e Shëndetësisë për tri vite me radhë në Qeverinë e parë pas shpalljes së Pavarësisë. Ndërkaq në Qeverinë Thaqi 2 2010-2013 ai ka qenë zëvendëskryeministër. Kujtojmë poashtu se Bukoshi ka qenë edhe kryeministër i Kosovës në Qeverinë e ekzilit para luftës.
Financimi nga shteti për shërimin e tij ishte kritikuar ashpër pasi ishte cilësuar si diskriminim ndaj pacientëve të tjerë të cilët nuk janë të paktë që kërkojnë para nga qytetarët për shërim jashtë vendit. E për krejt këtë situatë të rëndë në shëndetësinë kosovare është përgjegjës edhe vet Bukoshi si ish-ministër dhe ish-zv.kryeministër.
Herën e fundit si zëvendëskryeministër, Bukoshi ka deklaruar pasuri të paluajtshme në vlerë prej 720 mijë euro. Vetëm shtëpia e tij në Prishtinë kap vlerën prej 400 mijë euro. Poashtu ai posedon edhe banesë 72 metra katrorë në vlerë 60 mijë euro në Shqipëri. /Gazeta Shneta/