Shqiptarët nuk do të duhet të paguajnë dyfishin e çmimeve kur të shkojnë tek dentisti. Autoriteti i i Konkurrencës në Shqipëri ka rrëzuar aktin normativ të bërë publik javën e kaluar nga Urdhri i Stomatologut, i cili ngriti në dyfish shërbimet bazë të stomatologjisë.
Përmes një njoftimi për median, AK është shprehur se nëse vendimi i marrë nuk zbatohet, atëherë parashikohet një gjobë e rëndë për ata denstistë deri në 10% të xhiros vjetore.
NJOFTIMI:
Komisioni i Konkurrencës, bazuar në ligjin “Për Mbrojtjen e Konkurrencës”, ka vendosur të pezullojë sot zbatimin e vendimit të Asamblesë Kombëtare të Urdhrit të Stomatologut “Për miratimin e listës së çmimeve dysheme për shërbimin stomatologjik”, duke bërë që çmimet e shërbimeve dentare të mos rriten.
Sipas Komisionit të Konkurrencës, vendimi i Asamblesë Kombëtare të Urdhrit të Stomatologut, nr. 12, datë 14.12.2018 “Për miratimin e listës së çmimeve dysheme për shërbimin stomatologjik”, sjell një dëm të rëndë dhe të pariparueshëm për konkurrencën dhe ka të ngjarë të ketë shkelje të nenit 4 të Ligjit Nr. 9121/2003.
Po ashtu sqarohet se, masa e përkohshme merret për një periudhë kohore deri në përfundim të procedurës hetimore.
Në rast të moszbatimit të vendimit për masa të përkohshme të cituara në pikën (I) të këtij vendimi, ndërmarrja Urdhri i Stomatologut të Shqipërisë ndëshkohet me gjobë deri në 10 % të xhiros vjetore për shkelje të rëndë të konkurrencës.
Në rast të moszbatimit të vendimit për masa të përkohshme parashikohet vendosja e gjobave individuale në masën deri 5 milionë lekë për individët që me dashje ose nga pakujdesia kryejnë ose bashkëpunojnë në veprimet e sanksionuara në nenet 73 pika 1 dhe 74 pika 1 e Ligjit 9121/2003./Express