I plotësuar 17:38 – Drejtori i Spitalit të Përgjithshëm të Gjilanit, Dr. Nisret Hajrullahu, ka treguar bilancin nga aksidenti i rëndë që ndodhi sot kur një kamion me shpejtësi të madhe goditi tetë vetura dhe disa këmbësorë.
Hajrullahu për Gazetën Shneta ka bërë të ditur se në Emergjencën e Spitalit të Gjilanit është pranuar një person 53-vjeçar pa shenja jete dhe 23 të tjerë me lëndime të ndryshme.
“Deri më tani në Emergjencën e spitalit tonë kanë ardh 23 persona të lënduar. Shtatë prej tyre janë hospitalizuar në repartet e ortopedisë, oftalmologjisë, kirurgjisë dhe ORL-së, ndërsa tre janë transferuar në QKUK”, ka deklaruar Hajrullahu.
Ai ka konfirmuar se nga të lënduarit nuk ka fëmijë dhe të gjitha janë në moshën madhore. Mjeku ka thënë se të lënduarit janë në gjendje stabile. /Gazeta Shneta/
___________
16:18 – Aksidenti në Gjilan: Tre të lënduar rëndë po trajtohen në QKUK, flet mjeku i Emergjencës
Në aksidentin e rëndë që ndodhi sot në Gjilan ku mbeti i vdekur një person, rreth 16 të tjerë pësuan lëndime të rënda.
Tre prej të lënduarve, dy gra dhe një burrë janë transferuar me urgjencë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, shkruan Gazeta Shneta.
Dr. Naser Syla nga Klinika Emergjente ka treguar për Gazetën Shneta se të aksidentuarit kanë pësuar lëndime të rënda.
“Deri më tani janë sjellë tre persona në Emergjencën e QKUK-së, dy gra dhe një burrë. Ata kanë pësuar lëndime të rënda por gjendja e tyre për momentin është stabile. Ende janë duke u trajtuar në Emergjencë”, ka deklaruar Syla.
Aksidenti i rëndë ndodhi në qytetin e Gjilanit kur një kamion me shpejtësi të madhe ka goditur disa vetura dhe këmbësorë. Raportohet se kamionit nuk i kanë punuar frenat. Prokuroria ka deklaruar se për rastin janë arrestuar dy persona. /Gazeta Shneta/