Kirurgu i njohur Dr. Besnik Bicaj ka dhënë dorëheqje nga Klinika e Kirurgjisë Abdominale në QKUK.
Letrën e dorëheqjes së tij e kanë konfirmuar edhe nga drejtoria e SHSKUK-së. Zyra për Informim ka deklaruar se kanë pranuar letrën, por dorëheqja e Bicajt nuk është miratuar ende, shkruan Gazeta Shneta.
“Ju konfirmojmë se dr. Bicaj, ka ofruar dorëheqje tek drejtori i Klinikës së Kirurgjisë Abdominale për arsye personale, e njëjta ende nuk është miratuar nga drejtoria”, thuhet në përgjigjen e Zyrës për Informim.
Kirurgu nuk ka pranuar të flas në lidhje me dorëheqjen e tij duke thënë se arsyet mund të gjenden në drejtori, ndërsa as drejtori i Klinikës Dr. Ferat Sallahu nuk ka pranuar të komentojë në lidhje me këtë rast.
Gazeta Shneta ka mësuar nga burime brenda kirurgjisë se dorëheqja e Bicajt vjen pasi drejtori Sallahu e ka larguar nga pozita e Shefit të Ekipit, duke e zëvendësuar me një kirurg tjetër. Kjo ka ngjallur pakënaqësi dhe si rezultat ka ardhur deri tek dorëheqja.
Këto detaje nuk janë konfirmuar nga asnjëra palë, ndërsa ende nuk dihet nëse do të miratohet dorëheqja e tij nga drejtoria. /Gazeta Shneta/