Ish-kryetarja e Odës së Mjekëve të Kosovës, Prof. Dr. Zylfije Hundozi, ka paditur Ministrinë e Shëndetësisë dhe OMK-në. Ajo po kërkon t’i kompensohen pagat sa ka qenë kryetare e Odës, në të cilën ajo nuk kishte arritur as ta konsolidonte anëtarësinë
Padinë ndaj MSH-së Hundozi e ka parashtruar në vitin 2015, ndërsa në vitin 2018 e ka përfshirë edhe Odën e Mjekëve si e paditur e dytë për të përmbushur kërkesën e saj.
Avokati i OMK-së, Armend Shkoza, thotë për Gazetën Shneta se Hundozi po kërkon kompensimin e të ardhurave personale në emër të një vendimi të ish-ministrit Ferid Agani. Ky vendim i vitit 2014 përcaktonte pagën e kryetarëve të odave në lartësi prej 1 mijë euro.
“Hundozi pretendon se MSH dhe OMK kanë për obligim kompensimin e pagave për periudhën sa ajo ka qenë kryetare e odës. Kërkesa e tillë nuk është vetëm çështje e ekspertizës financiare, por edhe juridike lidhur me autorizimet, drejtat dhe detyrimet që ajo i ka bartë si ish-kryetare. Ligji për Odat në mënyrë tekstative thotë se tri vitet e para lidhur me funksionalizimin e odave të gjitha shpenzimet do të mbulohen nga buxheti i Kosovës. Kjo nënkupton që detyrimi ka qenë ekskluzivisht i buxhetit të Kosovës. OMK nuk mund të marr përsipër një akt i cili është nxjerr nga një autoritet tjetër. OMK nuk mund të marr përsipër detyrime nga shprehja e vullnetit të një autoriteti tjetër i cili ka pas për obligim ligjërisht për me u kujdes”, deklaron Shkoza.
Ai shton se me skadimin e atij tre vjeçari, vendimi nuk mund të ketë efekt juridik sepse kjo realisht është edhe në kundërshtim me logjikën juridike. “Ne nuk mund të paraqitemi trashëgimtar i një vendimi të ish-ministrit”, thekson ai.
Argumenti tjetër i Shkozës është se OMK deri në mandatin e dytë ka qenë tërësisht jofunksionale.
“Nuk është konsoliduar anëtarësia ndonëse sipas Ligjit detyrimi për t’u anëtarësuar në oda ka qenë obligim i të gjithëve mjekëve. Ne kemi konsideruar se ka qenë detyrë e ish-kryetares që në bazë të autorizimeve dhe ligjit është dashur që të ndërmerren veprimet dhe të mos shkojnë katër vite pa konsolidimin e anëtarësisë. Ish-kryetarja e Odës nuk ka ndërmarr asnjë veprim për t’i përmbushur obligimet e saj”, ka thënë ai.
Gazeta ka kontaktuar edhe me Hundozin por ajo ka thënë se gjendet jashtë vendit dhe nuk mund të flas për këtë çështje derisa rasti është ende në procedurë.
Kujtojmë se Hundozi në vitin 2014 kishte akuzuar ish-ministrin Ferid Agani për buxhetin prej 230 mijë eurosh të ndarë për OMK-në. Ajo kishte deklaruar në atë kohë se Agani nuk po dëshiron t’i bartë kompetencat tek oda dhe nuk ua kishte paguar angazhimet. Hundozi kishte kërkuar auditim edhe për disa donacione të ndara nga Oda e Mjekëve të Gjermanisë. /Gazeta Shneta/




