Numri i pacientëve nga Kardiologjia Invazive është rritur në Mjekimin Intensiv Qendror, pas paraqitjes së disa rasteve të vdekjes së pacientëve në Prokurori
Klinika e Kardiokirurgjisë me Kardiologji Invazive në javët e fundit ka shtuar numrin e pacientëve në Intensiven Qendrore. Mjekët e MIQ-it po kujdesen për pacientët me gjendje të vështirësuar pas stentimit. Një prej tyre, polic me profesion, ka ndërruar jetë në intensivë pasi kardiologët i kishin vendosur dy stenta, ka mësuar Gazeta Shneta me burime brenda klinikës.
E raste si ky dhe të tjerë kanë bërë që kardiologët nga frika të mos i mbajnë pacientët në klinikë por t’i dërgojnë në MIQ. Kjo po ndodh pas paraqitjes së disa rasteve nga kardiologët Artan Ahmeti dhe Gani Bajraktari në Odën e Mjekëve të Kosovës, e të cilat tashmë kanë përfunduar në Prokurori.
Menaxhmenti i QKUK-së nuk ka kthyer përgjigje lidhur me këtë problematikë, ndërsa prokurori i Odës ka konfirmuar se rastet janë dërguar në Prokurori.
Bajram Ajeti ka thënë se vitin e kaluar janë raportuar në organin e prokurorisë në OMK për trajtim të pandërgjegjshëm dhe neglizhencë gjatë shërbimeve. “Ne i kemi shqyrtuar këto lëndë, por për shkak të kapaciteteve të limituara dhe kompetencave ligjore që inkriminon dyshimin të natyrës penale, këto lëndë janë dërguar në Prokurorinë Themelore në Prishtinë”, ka deklaruar Ajeti.
Ai ka shtuar se nuk kanë pasur mundësi që t’i shqyrtojnë këto lëndë më tutje, pasi për këtë nuk pranuan as ekspertë të jashtëm. “Jemi munduar të angazhojmë ekspertë të kardiologjisë invazive, edhe nga vendet evropiane, por nuk kanë pranuar. Dhe për këtë shkak dhe për arsyen se kemi të bëjmë me dyshime për vepër penale, atëherë rastet janë dërguar në Prokurori”, ka shtuar Ajeti.
Ai ka thënë se bëhet fjalë për 6 raste të paraqitura, ku një prej tyre dihet se ka ndërruar jetë. Për shkak të hetimeve, Ajeti nuk ka pranuar të jap më shumë detaje lidhur me këto raste. /Gazeta Shneta/