Në Kongresin dhe panairin e parë mjekësor (18-19 tetor 2019) të organizuar nga Oda e Mjekëve të Kosovës, pritet të marrin pjesë mijëra mjekë, do të mbahen tri punëtori, ndërsa do të ketë ligjërues nga SHBA dhe disa vende të Evropës
Nënkryetari i OMK-së, Dr. Naser Gjonbalaj në një bisedë për Gazetën Shneta ka shpalosur disa detaje nga ky organizim i parë i odës. Ai ka thënë se kongresi multidisiplinar është i hapur për mbi 4 mijë anëtarët e OMK-së, ndërsa ka interesim të madh për prezantim edhe në panair nga ofruesit e shërbimeve, produkteve dhe pajisjeve mjekësore.
“Kongresi do ketë tri punëtori dhe ato janë: 1) Menaxhimi i avancuar i rrugëve ajrore/ Menaxhimi i rrugëve ajrore në trauma; 2) Diagnostika e avancuar në pacemaker dhe ICD; 3) Trombektomia mekanike- Standardi i artë për iskemine akute cerebrale(AIS), përvoja klinike”, ka treguar Gjonbalaj.
Ai ka treguar tutje se në kongres do të ketë ligjërues profesionist të cilët janë emra eminent ndërkombëtare nga SHBA, Gjermani, Austria, Kroacia, etj.
“Duke e ditur që është kongresi i I–rë i organizuar nga OMK-ja ka rëndësinë e veçantë dhe shpresojmë dhe besojmë që do jetë i traditës, e veçanta është se është së bashku me panairin që do mbahen në ndërthurje të arritjeve shkencore dhe shërbimeve mjekësore që ofrohen në Kosovë. Për organizimin e këtij eventi janë marr masat e duhura deri më tani qoftë marrjen e numrit ISBN në autoritetin përkatës të librit të abstrakteve e që në shëndetësi mund të jetë i pari që ndodhë në Kosovë, numër i cili shërben për indeksim të punimeve, me një fjalë do jenë punime të regjistruara me tendencë publikimi në revista shkencore, po ashtu vendin që do mbahet në kongres me panair (Emerald) ka rëndësinë e vet me hapësirat që ofrohen”, ka deklaruar Gjonbalaj. /Gazeta Shneta/